Lidhje

Presidenti Bush nderon trupat e rënë në Holandë gjatë Luftës së Dytë Botërore


Ceremoni përkujtimore u zhvilluan sot në mbarë botën për të shënuar momente të rëndësishme të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Presidenti Bush ndodhej në Holandë për të shënuar çlirimin e këtij vendi nga nazizmi me ndihmën e forcave aleate. Në fjalimin që mbajti atje, presidenti amerikan kujtoi ata që paguan çmimin më të lartë, duke sakrifikuar jetën e tyre për fitoren:

Presidenti Bush mori pjesë në një ceremoni solemne në Varrezat Amerikane në Holandë ku prehen eshtrat e 8,301 ushtarëve amerikanë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe mbretëresha Beatrix e Holandës vunë kurora në Përmendoren e Luftës Margraten për të nderuar kujtimin e ushtarëve të vrarë në Luftën e Dytë Botërore. Presidenti Bush nderoi kujtimin e ushtarëve të Luftës së Dytë Botërore, të rënë në betejë, të cilët, siç tha ai “paguan çmimin më të rëndë.”

"Në këtë mëngjez paqësor maji, ne përkujtojmë një fitore të madhe për lirinë. Mijëra kryqe prej mermeri të bardhë dhe yje të Davidit theksojnë çmimin lartë që paguam," tha presidenti Bush.

Në fjalimin e tij, ku shprehu mirënjohje ndaj forcave aleate, kryeministri holandez Jan Peter Balkenende tha se çlirimi i atdheut të tij nga trupat naziste, falë luftës së trupave amerikane i ktheu Holandës një dhuratë tepër të çmueshme – lirinë. Holanda ka prirje të theksuara liberale dhe presidenti Bush nuk gëzon popullaritet në këtë vend. Por në rajonin përreth varrezave, jo larg kufirit me Gjermaninë dhe Belgjikën, banorët ruajnë kujtime shumë dashamirëse për amerikanët dhe për operacionet e tyre çlirimtare gjatë luftës.

Shumë holandezë të kësaj zone ende sjellin lule në varrezat e ushtarëve që luftuan në këtë zonë dhe më pas ndoqën ushtarët nazistë deri në Berlin duke sjellë kapitullimin e Gjermanisë naziste.

Presidenti Bush falenderoi popullin holandez për kujdesin që kanë treguar për varrezat e ushtarëve amerikanë, megjithëse nuk i kishin njohur kurrë. Presidenti vuri gjithashtu në dukje se gjatë transmetimeve të Zërit të Amerikës nga Londra me rastin e fitores në Evropë, spikeri u bëri thirje evropianëve që t’i konsiderojnë edhe amerikanët si të rënët e tyre. Presidenti tha se në zemrat e holandezëve, ata ishin të tillë.

Kjo ishte një ndër veprimtaritë e zhvilluara në mbarë botën për të përkujtuar momente të rëndësishme të konfliktit, i cili përfshiu 61 vende dhe u kushtoi jetën 55 milion vetëve, përfshirë edhe 405 mijë amerikanë.

Ndërkaq, autoritetet holandeze arrestuan 6 aktivistë të cilët thonë se dëshironin të inspektonin pajisjen që e lejon presidentin Bush të aktivizojë armët bërthamore. Veprimtarët u ndaluan ndërsa u përpoqën t’i afrohen hotelit ku po qëndronte Presidenti në qytetin e Mastrihtit në jug të Holandës. Një zëdhënës për veprimtarët tha se ata ishin inspektorë civilë, që donin që shihnin valixhen e paisjeve që shoqëron presidentin.

XS
SM
MD
LG