Lidhje

Sondazh mbi klimën politike në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri


Në Shqipëri një sondazh i kryer për llogari të Institutit Demokratik Amerikan ka treguar se Partia demokratike në opozitë gëzon 42 përqind të mbështetjes së shqiptarëve kundrejt 34 përqind të partisë socialiste. Këto shifra kanë dalë nga intervistimi në fundin e muajit prill i 1251 personave të cilët i janë përgjigjur pyetjes se kë do të votonin nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin atë javë.

Socialistët kundërshtuan rezultatet duke u shprehur se nuk preferojnë të hyjnë në lojrat e sondazheve abusive Sondazhi i publikuar të hënën është i pari që u paraprin zgjedhjeve të 3 korrikut duke treguar tendencat e votuesve shqiptarë.

Sondazhi i kryer me porosi të Institutit Demokratik amerikan përfshin trajtimin e një sërë cështjes që shqetësojnë shqiptarët që nga politika, ekonomia, infrastruktura, korrupsioni si dhe zgjedhjet, që përbën edhe kapitullin më interesant duke parë klimën elektorale në të cilën është përfshirë vendi. Nga data 19 deri 27 prill janë intervistuar 1251 persona të cilët të pyetur se për kë do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin atë javë kanë dëshmuar një mbështetje më të madhe për partinë demokratike, 42 përqind, me një diferencë të dukshme nga socialistët të në favor të të cilëve janë shprehur vetëm 34 përqind.

Një fakt interesant ka dalë edhe për partinë më të re atë të ish kryeministrit Ilir Meta, e cila ka patur përkrahjen e 11 përqind të të intervistuarve, ndërsa koalicioni i djathtë i udhëhequr nga pretendenti i Fronit mbretërore Leka Zogu gëzon vetëm 4 përqind të mbështetjes.

Sondazhi tregon dhe një tjetër të dhënë të rëndësishme. Sipas të dhënave 32 përqind e shqiptarëve janë të pavendosur gjë që tregon se për të gjitha partitë ka një kategori mjaft të gjerë drejt së cilës ata mund të synojnë.

Nga ana tjetër udhëheqësit e dy partive më të mëdha, kryetari socialist Fatos Nano dhe kryetari democrat Sali Berisha nuk rezultojnë të jenë në krye të listës së politikanëve më të preferuar, ndonëse karahasuar me njëri tjetrin zoti Berisha qëndron më lart. Sipas sondazhit popullaritet më të madh ka kryetari I bashkisë së Tiranës Edi Rama i pasuar nga ish presidenti Rexhep Mejdani, ndërkohë që nga politikanët e djathtë dy nënkryetarët democrat Jozefina Topalli dhe Bamir Topi rezultojnë të jenë më të preferuar se zoti Berisha Rezultatet e publikuara sot tregojnë se lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme, cështja e listave të votuesve dhe parregullsitë e mundshme në numërimin e votave konsiderohen si element shqetësues.

Po ashtu problematike shihet edhe ndarja zgjedhore apo ndërhyrja e policisë. Shqipëtarët tregojnë se kanë më shumë besim te ndërkombëtarët në vëzhgimin e zgjedhjeve, 57 përqind, por edhe te komisioni Qendror i zgjedhjeve me 47 përqind.

Çështjet e tjera të trajtuara në sondazh si ekonomia dhe korrupsioni nuk kanë dhënë ndonjë surprizë. Udhëheqësit politik, sistemi gjyqësor dhe mjekët janë kategoritë që shihen si më të korruptuarat ne vend. Sipas Institutit demokratik amerikan sondazhi është realizuar në terren nga kompania Prisem Reserch e themeluar në Australi dhe me filiale të shumta në Ballkan. Ndërsa kufiri i gabimit është +/- 3 përqind.

XS
SM
MD
LG