Lidhje

Ambasadori Tarifa komenton mbi akuzat për skandal financiar në ambasadën e Uashingtonit


Në Shqipëri publikimi i një bisede telefonike të zhvilluar mes ambasadorit shqiptar në Uashington dhe një biznesmeni është cilësuar një skandal në diplomacinë shqiptare. Sipas bisedës, ambasadori shqiptar rezulton të jetë përfshirë në një aferë manovrimesh me fondet për riparimin e ambasadës që do të çonin në përfitimin e një shume prej 4 mijë e 500 eurosh, të cilat ambasadori Tarifa ia kishte kërkuar një biznesmeni. Gjithashtu sipas bisedës, ambasadori Tarifa shprehet mospërfillës për detyrën që kryen duke deklaruar se titullin e ka pranuar vetëm që të ketë mundësi shkollimi për fëmijet e tij dhe se kjo është e vetmja gjë që i intereson. Sipas njoftimeve, Ministria e Jashtme ka kërkuar kthimin me urgjencë në Shqipëri të ambasadorit për të dhënë shpjegimet e tij lidhur me këtë ngjarje.

Zëri i Amerikës: Publiku në Shqipëri është i njohur me faktet e bisedës. Zoti ambasador do të ishim të interesuar për sqarimin tuaj për bisedën. A ka ndodhur dhe në çfarë kushtesh ka ndodhur?

Ambasador Tarifa: Faleminderit që më keni ftuar në studio për të sqaruar këtë çështje që në shtypin shqiptar është quajtur skandal financiar në ambasadën e Uashingtonit. Ambasadorët the njerëzit e thjeshtë nuk kanë shtyp pas vetes, kështu që çdo mundësi që më jepet të prononcohem, unë e çmoj. Një ditë para se të largohesha nga Tirana fola për Radio Televizionin Shqiptar. Sot kam dëshirën dhe kënaqësinë që të bëjë të njohur për publikun shqiptar të vërtetën e kësaj çështjeje. Unë isha në Tiranë dhe u ktheva mbrëmë. Televizioni Klan dhe shtypi shqiptar, më thanë sot, po bën zhurmë për një çështje që quhet skandal financiar dhe unë dua të sqaroj se asnjë skandal financiar nuk ka në këtë mes. Flitet për një kasetë që përmban një bisedë të inçizuar timen me një biznesmen shqiptar në Uashington. Në fakt unë nuk jam në dijeni se një bisedë e tillë është bërë, pasi lexova sot transkriptin e saj. Ajo kasetë, siç lexova në shtyp, më duket një montazh bisedash të ndryshme të bëra, ose jo nga unë, në telefon, ose mjedise të tjera.

Zëri i Amerikës: Pra ju e mohoni faktin se egziston një bisedë e tillë midis jush dhe biznesmenit shqiptar në Uashington.

Ambasador Tarifa: Unë pohoj që flas në telefon me të gjithë shqiptarët që jetojnë në Uashington, disa dhjetëra qindra, siç flas nëpër kafene dhe pritjet që bëj. Unë nuk di të kem bërë një bisedë të tillë, kaq të gjatë sa ç’shkruhej sot në shtyp. Pra e mohoj tërësisht. Është një montazh bisedash që nuk kanë koherencë dhe që përpiqen të duken kompromentuese.

Zëri i Amerikës: Zeri i Amerikës kontaktoi me biznesmenin shqiptar. Ai është Indrit Bregasi. Ai pretendon veç atyre që kanë dalë në shtyp, se ju i keni kërkuar një borxh atij para gjashtë muajsh, për të paguar një libër që është botuar në Holandë, siç është thënë edhe në materialet e botuara nga shtypi shqiptar. Ai ua ka dhënë borxh paratë, por pasi i keni ju keni mohuar marrjen e tyre dhe pastaj ka filluar e gjithë peripecia.

Ambasador Tarifa: Është një shpifje e pështirë dhe e tmerrshme. Unë për një botim timin që është bërë në Hollandë kam biseduar, jo me Indritin por me shumë njerëz, por nuk është këtu vendi për t’i përmendur, pra kam biseduar në ambasadë, miqësisht me ta, pa i kërkuar askujt lëmoshë, sepse se kam bërë kurrë. Dhe e vërteta që thotë ai nuk egziston. E vërteta është që çështja, zemërimi dhe intriga e këtij individi, me sa duket shkaktohet për faktin se ai nuk fitoi një tender, ose nuk mori paratë që do të merrte nga ai tender, që po bëhej në ambasadë. Prandaj unë dua që të them dy fjalë për këtë punë nëse më lejoni.

Zëri i Amerikës: A e ka fituar tenderin Indriti në ambasadë fillimisht.?

Ambasador Tarifa: Jo. Disa kompani kanë hyrë në lojë, sikurse kërkohet edhe nga shteti shqiptar. Kompania e tij ishte njëra nga ato kompani. Është firmosur një kontratë sipas porosisë së dhënë nga drejtoria e sherbimit të trupit diplomatik në Tiranë, pasi që oferta e tij qe më e lirë dhe në momentin e fundit, unë jam bërë pishman, sepse kam pyetur shqiptarë të tjerë në Uashington dhe më kanë thënë pse merresh me atë njeri, ai s’ka fare firmë, pra qe një firmë fantazëm. Dhe në këtë moment kontrata nuk është dërguar asnjëherë në Tiranë për dërgim fondesh.

Zëri i Amerikës: Indriti këmbëngulë, të paktën në bisedën paraprake që bëri me Zërin e Amerikës, që ju ka dhënë juve tre mijë dollarë borxh për punën e librit në Hollandë. A egziston ky fakt, a i keni marrë prej tij këto para.?

Ambasador Tarifa: Jo, asnjëherë. Ai mund të thotë edhe tridhjetë mijë dollarë, por nuk ka ndodhur kurrë.

Zëri i Amerikës: Pra në qoftë se arrij të përmbledh saktë faktet që thoni ju, ju mohoni që keni kryer bisedë të tillë me Indritin. Indriti nuk ju ka dhënë para borxh dhe sipas jush e gjithë kjo histori është e sajuar. Pyetja që kam për ju është, në gjithë këtë histori, kush është i interesuar për të shpifur gjëra të tilla për ju?

Ambasador Tarifa: Shumë njerëz mund të jenë të interesuar. E para, posti që kam unë në Uashington është post i lakmuar nga shumë. Ky post bën shumë për Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare. Dhe nëse duhet të goditet qeveria shqiptare, unë jam një objektiv mjaft i përshtatshëm. Me goditjen time përsonale goditen arritjet mes Shqiprisë dhe Amerikës. Goditet imazhi i mirë që ka kjo ambasadë në Uashington edhe është një presion që bëhet pikërisht para zgjedhjeve dhe jo më parë. Biseda për këtë libër është bërë jo vetëm me Indritin vetëm, por edhe me shumë njerëz të tjerë dy vjet më parë dhe jo tani. Libri është një çështje që nuk është më në axhendë, ai është botuar me kohë. Problemi është që çdo procedurë, këtë duhet të dinë dëgjuesit në Shqipëri, se çdo procedurë që është bërë lidhur me këta tendera për riparimin e ndërtesës së keqmbajtur të ambasadës së shqipërisë, e cila për katër vjet me rradhë që unë shërbej këtu, nuk ka marrë asnjë qindarkë të vetme buxhet nga sheti shqiptar për tu riparuar, kërkesa të herëpasherëshme për çdo vit nga ministri Islami janë konstatuar nevojat për riparimin e ndërtesës në korrikun e kaluar, kur ai vizitoi Uashingtonin. Një ekip i drejtorisë së shërbimit diplomatik ka ardhur në dhjetor në ambasadë ka verifikuar dhe ka ikur me një listë me 17 lloje punimesh që duhen bërë. Në bazë të kërkesës së tyre janë çuar porositë dhe ofertat që këtej. Oferta që është nënshkruar dhe kontrata që është nënshkruar është bërë me miratimin e ministrisë së jashtme. Por unë, engjëlli që kam në kokë për të më shpëtuar, më ka thënë mos e dorëzo dhe nuk është dërguar asnjëherë në Tiranë një kontratë e tillë. Prandaj asnjë kontratë nuk është nënshkruar. Asnjë para, asnjë cent, nuk ka ardhur në ambasadë dhe asnjë cent nuk është vjedhur as nga unë, e as nga askush tjetër në ambasadë. Kjo është e vëteta e çështjes.

Zëri i Amerikës: Zoti Tarifa edhe një pyetje e fundit. Sipas njoftimeve nga Shqipëria, ministria e jashtme ka kërkuar kthimin tuaj urgjent në Tiranë për të dhënë sqarime për këtë çështje. A do të ktheheni dhe kur?

Ambasador Tarifa: Vetëm sot mora një faks që vinte nga Tirana. Isha në Tiranë për shtatë ditë dhe Ministri i Jashtëm ishte në dijeni të kësaj çështjeje. Me datën katër ai vuri sekretarin e përgjithshëm të më kontaktonte për të marrë sqarimet e rastit. Tre ditë me radhë, duke ditur që jam në Tiranë, ai nuk më kontaktoi asnjëherë dhe nuk bëri asnjë përpjekje. Prandaj unë vet me datën shtatë në mbrëmje, pasi pashë se Televizioni Klan do të jepte të nesermen të botuar këtë transkript, kërkova vet që të shfaqesha publikisht në disa kanale. Dhe i vetmi kanal që më hapi portat atë natë ishte TVSH-ja. Ndërkohë mësova që Televizioni Top Channel, një kanal që unë nuk kam patur asnjë mardhënie më parë ka refuzuar të transmetojë atë sepse i është dukur jo bindëse ajo bisedë. Unë jam gati dhe i kam kërkuar ministrisë së jashtme sot, kryeministrit dhe presidentit që në çdo moment, duke filluar që nesër, në ambasadë mund të vijë një ekip kontrolli të verifikojë.

Zëri i Amerikës: Po ju do të ktheheni në Shqipëri sipas kërkesës së shkresës.

Ambasador Tarifa: Unë i kam dërguar një letër Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës si dhe Ministrit të Jashtëm dhe i sqaroj se arsyeja pse unë duhet të vete atje janë për të çuar dokumentet financiare, fare mirë ato mund të vertetohen aty ku janë në ambasadë, siç është edhe rregulli. Nuk di nëse duhet të shkoj apo jo tani, sepse sapo u ktheva mbrëmë. Arsyet shëndetësore nuk më lejojnë që shkoj për dy tre javë, por sidoqoftë nuk kam pse të mos shkoj në qoftë se më kërkojnë. Por unë nuk jam nomeklaturë e ministrit të jashtëm, jam nomeklaturë e kryeministrit dhe presidentit. Në qoftë se ata më thonë hajde, domosdo që unë do të shkoj.

XS
SM
MD
LG