Lidhje

Presidenti Bush në Gjeorgji: Marrëdhëniet Uashington - Tbilisi


Marrëdhëniet ndërmjet Uashingtonit dhe Tbilisit kanë shënuar përmirësim pas revolucionit paqësor, demokratik në Gjeorgji dy vjet më parë. Presidenti Bush e shfrytëzoi vizitën e tij në këtë vend për të theksuar mbështetjen e Uashingtonit për zhvillimet demokratike dhe për të vënë në dukje çështjet që i bashkojnë këto dy vende:

Administrata e presidentit Bush tha se synimi kryesor i vizitës së presidentit në Gjeorgji ishte për të shprehur mbështetjen për demokracinë e re në këtë vend. Vetëm 18 muaj pasi Revolucioni Rozë rrëzoi qeverinë e Eduard Shevernaxes, Gjeorgjia u bë frymëzim për kryengritje të ngjashme paqësore në Ukrainë dhe Kirgistan.

Vizita e presidentit Bush shikohet nga shumë analistë si një vlerësim për transformimin e shpejtë të këtij vendi nën presidentin Mikhail Sakashvili. Udhëheqësi i ri gjeorgjian i diplomuar në Shtetet e Bashkuara ka vënë në shenjestër korrupsionin në vend, ka rritur nivelin e grumbullimit të taksave dhe me ndihmë të Shteteve të Bashkuara po modernizon edhe ushtrinë gjeorgjiane. Zoti Sakashvili gjithashtu ka angazhuar trupa në luftën në Irak.

Xhejms Goldgaier i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë thotë se Gjeorgjia pret nga perëndimi legjitimitet, si dhe t’i ofrojë vendit antarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian, gjë që për këtë vend fqinj të Rusisë mund të jetë vështirë të realizohet. "Ky vend ndeshet me një sfidë më të madhe se sa pjesë të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore, pasi nuk është e qartë nëse, duke pasur parasysh pozicionin gjeografik të Gjeorgjisë, ky vend do të ketë shanse për antarësim në organizata si NATO dhe Bashkimi Evropian," thotë analisti Goldgaier.

Duke u nisur nga pozita gjeografike e Gjeorgjisë, Radek Sikorski i Institutit Enterprize në Uashington mendon se ky vend ka rëndësi strategjike për Shtetet e Bashkuara. "Gjeorgjia është një vend me rëndësi strategjike, pasi ka dalje në Detin e Zi dhe në rajonin e Detit Kaspik, i cili është i pasur me burime energjitike. Shteteve të Bashkuara u intereson të gjejnë burime të reja nafte dhe gazi përveç Lindjes së Mesme," thotë zoti Sikorski.

Ekspertët pohojnë se Gjeorgjia mund të luajë një rol të rëndësishën në të ardhmen gjeopolitike të naftës, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për të shtruar një numër tubacionesh për transportimin e naftës dhe gazit nga rajoni Kaspik si në drejtim të perëndimit ashtu edhe të lindjes.

Me fuqizimin e demokracive të reja përreth Rusisë, Moska tani i ka drejtuar sytë nga perëndimi për ndihmë. Analistët mendojnë se tani Kremlini duhet të zgjedhë ose të përpiqet të imponojë vullnetin e tij mbi këto vende, duke shkaktuar kundërvënien e tyre, ose të bashkëpunojë me fqinjët e tij.

XS
SM
MD
LG