Lidhje

Shqipëri: Akuzat ndaj ambasadorit shqiptar në Uashington vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes


Në Shqipëri akuzat e ngritura ndaj ambasadorit shqiptar në Shtetet e Bashkuara Fatos Tarifa vazhdojnë të jenë në qendër të shtypit të sotëm. Ministria e jashtme nga ana e saj vendosi pezullimin e ambasadorit Tarifa duke rikonfirmuar se ai është thirrur urgjent në Tiranë dhe se ai duhet të sqarojë pozicionin e tij i shkëputur nga privilegjet e titullit të ambasadorit.

Dy ditë më parë shtypi shqiptar publikoi një bisedë që zoti Tarifa kishte zhvilluar me një biznesmen shqiptar ku ambasadori rezulton të jetë i përfshirë në një aferë financiare me fondet e ambasadës.

Ambasadori shqiptar në Uashington do të duhet të japë shpjegime rreth ngjarjes që e përfshin atë në një skandal financiar I zhveshur nga pozicioni që ai mban.

Mbrëmë ministria e jashtme deklaroi se me urdhër të zotit Islami është vendosur pezullimi i tij nga aktiviteti administrativ dhe ai diplomatik. Ministria e jashtme rikonfirmoi se ambasadori Tarifa është urdhëruar të vijë urgjentisht në Tiranë.

Por në deklarimin e djeshëm për zërin e Amerikës, zoti Tarifa tregoi qartë shenjat e pakënaqësisë ndaj eprorëve të tij në ministrinë e jashtme duke deklaruar se ai do të kthehej vetëm nëse kjo do t’i kërkohej nga kryeministri apo Presidenti i Republikës. Dhe sot kryeministri Fatos

Nano përsëriti se ambasadori është ftuar të vijë në Tiranë për t’u vënë përballë akuzave. Paksa i paqartë qëndrimi fillestar i Ministrisë së jashtme ndaj kësaj cështje. Në reagimin e parë menjëherë pas publikimit në shtyup të bisedës mes ambasadorit Tarifa dhe biznesmenit Ingrid Bregasi, ministria bëri rolin e të paditurit duke mos dhënë ndonjë shpjegim pasi nuk kishte mundur të kontaktonte me ambasadorin i cili ishte në udhëtim.

Por zoti Tarifa ka shpjeguar se për këtë cështje ministri i Jashtëm ishte në dijeni që në datën 4 maj dhe se ai kishte biseduar me sekretarin e përgjithshëm Roland Bimo për këtë.

I pyetur nga Zëri i Amerikës se përse ministria e jashtme duhej të priste që ambasadori të nisej dhe më pas ti kërkohej kthimi në atdhe në një kohë që ai ndodhej në

Tiranë, zoti Bimo tha se përpara publikimit në shtyp ata kishin patur vetëm indikacione, të pamjaftueshme sipas tij për të ndërmarrë hapat që pasuan.

Një hetim i brendshëm është ndërmarrë tashmë nga ministria e Jashtme dhe në Uashington do të shkojë edhe një grup kontrolli. Ndërsa sipas shtypit të këtushëm që në dhjetor të vitit 2002 kontrolli i Shtetit kishte konstatuar parregullsi në aktivitetin financiar të ambasadës shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Nga ana e tij ambasadori Tarifa në bisedën e djeshme me Zërin e Amerikës mohoi që të ketë patur një bisedë të tillë me biznesmenin Bregasi duke u shprehur se ai po hakmerret për një tender të pafituar.

XS
SM
MD
LG