Lidhje

Stivens: Është herët të flitet me hollësi se çfarë forme do të ketë procesi i statusit për Kosovën


Në një intervistë që i dha shërbimit serb të Zërit të Amerikës, Zëvendësndihmës sekretarja amerikane e Shtetit Kathlin Stivens tha se Ajo që duhet të realizohet në Kosovë është një e ardhme për të gjithë, një e ardhme brenda Evropës. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin çdo përpjekje për dialog midis Prishtinës dhe Beogradit.

Zëri i Amerikës: Komuniteti ndërkombëtar ka deklaruar se Kosova nuk do të kthehet mbrapsht në status-quo-në e vitit 1999. Beogradi është kundër pavarësisë, por në favor të një autonomie më të gjerë. Prishtina nuk pranon asgjë tjetër përveç pavarësisë. Ju jeni shprehur kohët e fundit kundër ndarjes së Kosovës, por edhe kundër bashkimit të Kosovës me ndonjë shtet tjetër. Çfarë zgjidhjeje do të ishte e pranueshme dhe çfarë do të propozohet kur të fillojnë bisedimet?

Kathleen Stephens: Ajo që duhet të realizohet në Kosovë, dhe kjo do të vlente për gjithë rajonin, është një e ardhme për të gjithë atje, një e ardhme brenda Evropës dhe në institucione euroatlantike, një e ardhme si pjesë e komunitetit të gjerë demokratik. Ju përmendët diskutimet që ne kemi filluar të përkufizojmë me partnerët tanë në Evropë dhe në rajon: as kthim në të kaluarën, as ndarje, as zhvendosje njerëzish dhe as formime shtetesh të reja apo ndryshim kufijsh për formim shtetesh të reja. Brenda këtij kuadri mendoj se tani duhet të fillojë një diskutim: si mund të arrijmë në një status për Kosovën që përputhet me aspiratat e të gjithë popujve të rajonit: Serbisë, Malit të Zi, Kosovës dhe pjesës tjetër të rajonit për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, apo me NATO-n nëse e dëshirojnë një gjë të tillë dhe të kenë një të ardhme më të mirë së bashku.

Zëri i Amerikës: Ju sapo thatë “jo formim shtetesh të reja”. A kishit parasysh edhe Kosovën?

Kathleen Stephens: Mendoj se ajo që thamë në Grupin e Kontaktit ishte “jo ndryshim kufijsh që do të krijonte bashkime të reja me shtete të tjera në rajon”.

Zëri i Amerikës: Atëherë krijimi i shteteve të reja është një nga mundësitë?

Kathleen Stephens: Mendoj se ka një larmi mundësish që po diskutohen, duke patur parasysh që nga diskutimet që bëhen në Prishtinë edhe ato që diskutohen në Beograd. Diskutimi duhet të fillojë.

Zëri i Amerikës: Presidenti serb Boris Tadic kohët e fundit ftoi Presidentin e Kosovës Rugova që të shkojë në Beograd dhe shprehu vullnetin për bisedime të drejtpërdrejta, gjë që presidenti Rugova e hodhi poshtë. Cili është qëndrimi i Washingtonit?

Kathleen Stephens: Ne e përshëndesim çdo lloj përpjekjeje për dialog. Ne kemi inkurajuar rifillimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës prej më shumë se një viti, që kur ato u ndërprenë pas dhunës së marsit të vitit të kaluar. Ne jemi shumë të kënaqur që dialogu për çështje teknike ka filluar dhe ne sigurisht që do të mbështesnim çdo lloj përpjekjeje për konsolidimin e dialogut.

Zëri i Amerikës: Prishtina thotë se nuk do të pranojë asnjë lloj dialogu të drejtpërdrejtë lidhur me statusin. Prishtina pranon të diskutojë me Beogradin vetëm në kuadrin e komunitetit ndërkombëtar. Çfarë mendoni juve se duhet të jetë i gatshëm të japë Beogradi kur të fillojnë bisedimet? Ka disa sugjerime që Beogradi në vend që të thotë se nga çfarë nuk heq dot dorë, duhet të thotë se çfarë lëshimesh duhet të bëjë në mënyrë që komuniteti ndërkombëtar t’u kërkojë shqiptarëve që edhe ata të bëjnë disa lëshime dhe jo të vazhdojnë të thonë që nuk do të pranojnë asgjë përveç pavarësisë.

Kathleen Stephens: Mendoj se është pak herët që të flitet me kaq shumë hollësi se çfarë forme do të ketë procesi i statusit ose cili do të jetë rezultati, përveç kuadrit të përgjithshëm që ne kemi diskutuar muajin e fundit. Sepse për momentin ne po shqyrtojmë se në ç’pikë është Kosova dhe ku qëndron përsa u takon disa standardeve kryesore të vendosura nga komuniteti ndërkombëtar, nga Kombet e Bashkuara dhe do të ndjekim me vëmendje se çdo të thotë zoti Jessen Petersen kur të raportojë këtë muaj në Këshillin e Sigurimit dhe pastaj në varësi të raportit të përcaktojmë nëse mund të fillojmë një shqyrtim të përgjithshëm të standarteve. Në këtë mënyrë ne do të jemi në gjendje të kutojmë se në ç’pikë jemi në momentin kur shpresojmë të fillojnë bisedimet, çfarë diskutimesh mund të bëhen në ato bisedime për statusin, sidomos një nga gjërat që janë në thelb të standardeve: si duhet të jetë Kosovë që të sigurojë kushte të qëndrueshme dhe të sigurta jetese për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht nga përkatësia etnike.

Zëri i Amerikës: Kur të fillojnë bisedimet këtë verë për standardet, a do të vlerësohet zbatimi i standardeve, apo vullneti dhe përpjekjet e qeverisë së Kosovës për t’i zbatuar ato. Sepse ekziston një mendim i përgjithshëm se standardet në të vërtetë nuk po plotësohen dhe gjendja e serbëve të Kosovës është shumë e vështirë. Pra në ç’pikë janë standardet?

Kathleen Stephens: Mendoj se duhet të presim se ç’do të thotë zoti Jessen Petersen në Këshillin e Sigurimit. Ne me shqyrtim standardesh merremi gjithmonë. Nuk është vetëm pjesë e procesit për t’u anëtarësuar në institucionet ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian, apo NATO-ja, edhe anëtarët e tyre kanë standardet. Kështu që në këtë kuptim standardet janë një proces në vazhdimësi. Nuk po përpiqem t’i shmangem pyetjes suaj, por ajo që dua të them është të presim se ç’do të thotë zoti Jessen Petersen dhe nëse ai thotë se jemi në fazën për të bërë një rishikim të përgjithshëm të standardeve, të shohim se në ç’pikë jemi. Një pjesë e madhe ka të bëjë me prirjet: a mendojmë që po ecet në një drejtim pozitiv, a ka filluar marrja e masave mbi të cilat mund të punohet për të ecur përpara, apo po bëhen hapa prapa. Dhe mendoj se ai do të jetë në gjendje të përcaktojë se çfarë prirjesh pozitive ka patur, apo pikat ku ka probleme. Mendoj se duhet t’i balancojmë gjërat për të vendosur se ç’do të bëjmë më tej.

Zëri i Amerikës: Në raportin e tij të fundit, zoti Jessen-Petersen ishte entuziast, duke thënë se ka patur shumë arritje, megjithatë u shtruan edhe shqetësime, duke thënë se jemi larg arritjes së standardeve, në mënyrë që ato të quhen të pranueshme, për një vend që aspiron të jetë demokratik, me bashkëjetesë shumë kulturash dhe me shumë kombësi. Udhëheqësit e Kosovës thonë që këto standarde janë aq të vështira, saqë po t’i imponoheshin cilitdo vendi të rajonit, asnjëri prej tyre nuk do të ishte shtet. A mendoni se janë shumë të vështira për t’u realizuar?

Kathleen Stephens: Mendoj se është e nevojshme të realizohen, për të pasur një jetesë të qëndrueshme dhe të mirë për njerëzit e rajonit. Është e vërtetë që edhe në vende dhe rajone të tjera ka shumë punë për të bërë. Kur bëhet fjalë për zhvillimin ekonomik dhe shtetin ligjor ka shumë punë për të bërë në gjithë rajonin dhe në gjithë botën. Mendoj se ne duhet të vendosim standarde të larta, por edhe të gjykojmë se sa përparim është bërë dhe se në çfarë drejtimi po ecet. Mendoj se jemi në gjendje të shohim, a po ecim në drejtimin e duhur, apo po bëjmë prapa. Për mendimin tim kjo ka rëndësi.

Zëri i Amerikës: Pra mund të thuhet që jemi në fillim të një procesi që mund të jetë i gjatë?

Kathleen Stephens: Pa dyshim, ashtu siç janë në fakt edhe Serbia dhe Mali i Zi si dhe vende të tjera të rajonit.

XS
SM
MD
LG