Lidhje

Kongresi miraton masa që e vështirësojnë marrjen e strehimit politik dhe marrjen e patentës për të huajt


Presidenti Bush pritet të nënshkruajë një ligj që autorizon 82 miliardë dollarë për operacionet ushtarake në Irak dhe Afganistan. Projekt-ligji u miratua dje nga Kongresi. Mes klauzolave të ligjit të ri janë edhe disa rregullore të reja që prekin emigrantët duke forcuar kërkesat për dhënien e strehimit politik si dhe duke e bërë më të vështirë marrjen e patentës së makinës për imigrantët e paligjshëm. Ligji i ri, do t’i bënte standard kërkesat për patenta në gjithë vendin. Disa thonë se ky është hapi i parë drejt krijimit të një dokumenti kombëtar identifikimi që deri tani nuk ekziston në Shtetet e Bashkuara.

Për pothuajse një shekull secili shtet në Shtetet e Bashkuara ka patur përgjegjësinë që të japë patentën e vet dhe nuk ka ekzistuar ndonjë standard kombëtar. 11 shtete u japin patenta edhe banorëve që nuk janë banorë të përhershëm. Në Shtetet e Bashkuara patenta mund të përdoret si mjet identifikimi për shumë qëllime, që nga hipja në një avion e deri tek hapja e një llogarie bankare. Ekspertja e sigurisë kombëtare, Alane Kochems e Fondacionit Heritage thotë se deri tani nuk ka qenë e vështirë të marrësh një patentë.

"Mjafton të paraqitesh dhe të thuash se do një dokument identifikimi dhe mund ta marrësh pa problem".

Vetëm njëri nga 19 rrëmbyesit e avionëve në sulmet e 11 shtatorit nuk kishte dokument amerikan identifikimi. Shumë prej tyre kishin dokumenta të rreme. Për të shmangur ngjarje të tilla, komisioni i 11 shtatorit rekomandoi që qeveria të vendosë standarde për patentat.

Sipas ligjit të ri, një person duhet të paraqesë të paktën katër forma identifikimi që të jetë në gjendje të marrë një patentë. Dhe gjithë informacioni i personit do të futet në bazat e të dhënave të shteteve që janë të lidhura në shkallë vendi. Autori i ligjit në fjalë, anëtari republikan i Kongresit James Sensenbrenner thotë se ligji i ri do t’i bëjë më të sigurt amerikanët.

"Këto masa do të pengojnë terroristët dhe kriminelët e huaj që të qarkullojnë lirisht në shoqërinë tonë".

Megjithatë, ekspertët e sigurisë thonë se terroristët me mbështetje të fortë financiare ndoshta do të jenë ende në gjendje të blejnë dokumenta të rreme në tregun e zi. Tim Sparapani i Bashkimit Amerikan për Liritë Civile thotë se ligji i ri vetëm krijon idenë e një sigurie më të madhe.

"Do të vendosemi në një situatë të tillë kur për herë të parë të gjithë amerikanët do t’i kenë informacionet më të rëndësishme personale në një bazë të dhënash. Dhe çdo kriminel i sofistikuar, terrorist apo përvetësues identitetesh që do të hyjë në program, mund ta bëjë një gjë të tillë duke shkuar vetëm në një vend".

"Ky është një shpjegim fare i pasaktë. Nuk është bazë për një dokument identifikimi kombëtar. Në thelb, qeveria federale u jep shteteve fare pak udhëzime për atë që do qeveria federale në një dokument identifikimi", thotë zonja Kochems.

Zoti Sparapani thotë se përkrahësit e ligjit për dokumentat e identifikimit po përpiqen të pakësojnë numrin e njerëzve që hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

"Kjo po paraqitet në formën e një mase anti-terroriste por në fakt është një masë kundër imigracionit".

"Nuk është aspak kundër imigracionit, sepse gjithkush që ndodhet këtu ligjërisht, që ka një arsye bindëse për praninë e tij në këtë vend mund ta marrë dokumentin e identifikimit. Ligji do të prekë vetëm ata njerëz që nuk duhet të jenë këtu dhe ndodhen në këtë vend ilegalisht", thotë zonja Kochems.

Zoti Sparapani thotë se dokumenti i ri i identifikimit nuk do të mund të ndalojë ardhjen e imigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara, ata thjesht nuk do të regjistrohen në zyrën e dhënies së patentave".

"Kështu në vendin tonë do të jetojnë disa njerëz, që nuk figurojnë askund".

Disa shtete kanë thënë se mbase nuk do ta zbatojnë ligjin e ri për dokumentat e identifikimit. Por sipas legjislacionit federal, të 50 shtetet duhet të zbatojnë brenda 3 vjetësh të gjitha klauzolat e ligjit për patentat.

Nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, qytetarët e atij shteti mund të mos jenë në gjendje të marrin një avion ose një tren që udhëton jashtë shtetit të tyre, apo të hyjnë në një godinë të qeverisë federale.

XS
SM
MD
LG