Lidhje

Përpjekjet amerikane për të rritur mirëkuptimin me botën arabe


Programi i administrtatës së presidentit Bush për të rritur komunikimin me botën arabe po fillon me një rritëm të ngadaltë, si pasojë e vonesave për shkak të qëndrimeve të zyrtarëve të rinj lidhur me displomacinë publike. Ndërkohë, kritikët thonë se Shtetet e Bashkuara kanë dështuar të parandalojnë përhapjen e ndjenjave anti-amerikane në Lindjen e Mesme dhe gjetkë nëpër botë.

Në muajin mars, sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice njoftoi se Karen Hughes do të ishte në krye të diplomacisë publike -- të përpjekjeve për të eliminuar imazhin negativ të Shteteve të Bashkuara në botën arabe. Por zonja Hughes nuk ka filluar ende detyrën e saj si nën-sekretare e shtetit dhe thuhet se ajo mund të mos fillojë detyën edhe për disa muaj.

Megjithë vonesa të tilla, Gerald Feierstein, zyrtar pranë byrosë për çështjet e Lindjes së Afërme në departamentin amerikan të shtetit, thotë se administrata e presidentit Bush po e intensifikon diplomacinë publike me botën arabe. “Sa më shumë njerëz i kuptojnë Shtetet e Bashkuara aq më shumë përvojë do të kenë ata me Shtetet e Bashkuara. Sa më pozitive që të jenë qëndrimet e tyre ndaj nesh aq më mirë do t’i kuptojnë ata politikat tona. Pra ne po bëjmë shumë më tepër se sa programet e parashikuara për t’u shtrirë në Lindjen e Mesme.”

Zoti Feierstein thotë se programet amerikane po ndihmojnë në kundërpërgjigjen ndaj ndjenjave anti-amerikane. Ai e vë theksin tek shtimi i programeve të shkëmbimit midis studentëve amerikanë dhe atyre muslimanë. Ai shton se studimet qeveritare tregojnë se më shumë njerëz shikojnë rrjetin televiziv satelitor, Al Hurra, i financuar nga Shtetet e Bashkuara. Madje departamenti i shtetit po hap në rajon të ashtuquajturat Qoshe Amerikane, të cilat sigurojnë bibloteka dhe faqe në internet atje ku nuk ka ambasada amerikane.

Por disa studjues dhe gazetarë arabë thonë se janë Shtetet e Bashkuara ato që duhet të mësojnë më shumë rreth botës arabe dhe se keqkuptimi i vlerave amerikane nuk është shkaku kryesor i ndjenjave anti-amerikane.

Abdel Bari Atwan, redaktor i gazetës Al-Quds Al-Aravi në Londër foli në një konferendë kohët e fundit në Universitetin Georgetown këtu në Washington. “Ju lutemi mos u sillni si diktatorët arabë, duke krijuar media amerikane për të komunikuar me botën arabe, duke investuar 1 miliardë e 300 milion dollarë për një fushatë në marrëdhëniet publike. Problemi nuk ka të bëjë me ndonjë keqkuptim ose diçka tjetër. Ne i dimë faktet fare mirë, problemi ka të bëjë me politikat e jashtme.”

Zoti Atwan thotë se shumë arabë duan të njëjtat liri demokratike si ato që gëzojnë amerikanët. Por ai thotë se arabët janë të zemëruar me mungesën e besueshmërisë tek qeveria amerikane. Zoti Atwan thekson mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Izraelin, të cilën arabët e shikojnë si të padrejtë si dhe lidhjet e Amerikës me ata që ai i quan udhëheqës të korruptuar të Egjiptit dhe Arabisë Saudite.

Husein Hosuna, ambasador i Lidhjes së Vendeve Arabe në Shtetet e Bashkuara, thotë se diplomacia publike amerikane mund të luaj rol në riparimin e marrëdhënieve të dëmtuara me botën arabe. Por zoti Hosuna shton se amerikanët duhet të bëjnë më shumë se sa të shesin imazhin e tyre, sepse shumë arabë mendojnë se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të imponojnë hegjemoni mbi atë rajon. “Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet të ndryshojnë tonin, duhet të dëgjojnë më shumë se ç’thonë të tjerët, të angazhohen më shumë në dialog dhe të mos mbështeten tek kërcënimi. Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin sanksione ndaj vendeve me të cilat kanë mosmarrëveshje, por ato duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut.”

Kritikët thonë se dialogu mes Shteteve të Bashkuara dhe botës arabe dëmtohet nga kufizimet e visave për muslimanët që duan të vizitojnë ose studiojnë në Shtetet e Bashkuara. Analistët arabë dhe ata amerikanë thonë se në afatin e gjatë, kontaktet mes njerzve, midis studentëve, dijetarëve dhe zyrtarëve të lartë, janë shumë të rëndësishme në ndryshimin e ndjenjave të gabuara. Por tani për tani, sipas anketave të opinionit, ndjenjat e pjesës më të madhe të arabëve për Shtetet e Bashkuara janë negative.

XS
SM
MD
LG