Lidhje

Gjeneral Çeku: Nuk mund të detyrojmë askënd që të inkuadrohet në TMK


Kosova përgatitet të marrë vlerësimin e bashkësisë ndërkombëtare këtë verë për standartet, një prej të cilëve është edhe aftësimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës për t’iu përgjigjur situatave emergjente dhe përfshirja në të e pakicave serbe. Komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës gjeneral Agim Çeku, tha në një intervistë eksluzive për Zërin e Amerikës se TMK-ja përpiqet t’i krijojë kushte pakicës serbe që të përfshihet më tepër në këtë institucion.

Zëri i Amerikës: Zoti Çeku kjo është vizita juaj e parë këtu në Shtetet e Bashkuara. Në se mund të na flisni fillimisht për qëllimin e kësaj vizite dhe për takimet që keni patur deri tani?

Gjeneral Çeku: Unë jam i ftuar nga komandanti i Akademisë Ushtarake Citadel në Karolinën e Jugut për të marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të Gjeneratës 2005 në kuadër të së cilës kanë qenë edhe dy kadetë nga Kosova. Mandej kam patur takime të shumta me zyrtarët amerikanë, fillimisht me Departamentin e Mbrojtjes, Pentagon, pastaj në Departamentin e Shtetit, kam patur takime në Departamentin për Mbrojtjen e Atdheut, si dhe takime me shumë kongresmenë në Kapitol Hill. Gjithashtu kam patur takime me komunitetin shqiptar. Kam patur dhe do të kem takime me disa miq të vjetër si ambasador Richard Hollbruk, ambasadori William Walker, ambasador Djakovic, Janush Bugajski e të tjerë.

Zëri i Amerikës: Dhe çfarë është diskutuar në takime?

Gjeneral Çeku: Në këto takime i kamë njohur ata me arritjet e TMK-së në plotësimin e standardeve, me planet tona afatshkurtra dhe me vizionin për të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Ndoshta pika më delikate ne standartin e caktuar per agjencine qe ju drejtoni eshte përfshirja e pakicave. Ju keni arritur të kapni shifrën 5 përqind nga 10 përqindshi i kërkuar për pjesmarrjen e pakicave. A jeni i shqetësuar se jeni ende prapa në realizimin e këtij standardi?

Gjeneral Çeku: Jo nuk jam aspak i shqetësuar, përkundrazi jemi të kënaqur me arritjen në plotësimin e standardeve dhe ky është vlerësim edhe i bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë që TMK-ja pothuajse e ka arritur standardin që i është ngarkuar. Është shqetësim vetëm një pikë, siç e thatë ju: pjesmarrja e komunitetit serb në TMK. Ne kemi arritur një shifër deri në 5 përqind, çka nuk mjafton sepse duhet të jetë së paku 10 përqind. Por gjithashtu ne kemi një listë të gjatë të projekteve dhe përpjekjeve të TMK-së në promovimin e multietnicitetit në TMK por edhe në Kosovë në përgjithësi. Kështuqë ne jemi duke bërë përpjekje të shumta por s’mund ta detyrojmë askënd që të inkuadrohet në TMK.

Zëri i Amerikës: Për serbët është e vështirë që të marrin pjesë në një agjenci të tillë që përbëhet nga ish pjestarë të UCK-së dhe kësaj i duhet shtuar edhe presioni i Beogradit. Si përpiqeni ju të bindni serbët se edhe ata duhet të marrin pjesë. Psikologjikisht, çfarë kushtesh u ofroni atyre?

Gjeneral Çeku: Kushtet që u ofrojmë atyre janë të qarta dhe të precizuara, pra kushte të njëjta që duhet të plotësojë çdo kandidat. Por ne jemi të gatshëm të bëjmë një diskriminim pozitiv ndaj pakicës serbe duke i kuptuar vështirësitë e tyre, duke kuptuar qendrimin politik negativ të udhëheqësve të tyre ndaj TMK-së, ata vërtet hasin në vështirësi, por ne u garantojmë atë që shoqëria kosovare i garanton pakicës serbe që të të kenë të gjitha të drejtat e tyre: që nga e hëna ka filluar një kurs fillestar për pjestarë të pakicës serbe në gjuhën e tyre në Akademinë tonë të Mbrojtjes, përfshirë përdorimin e literaturës në gjuhën e tyre. Ne shumë shpejt do ta ndërtojmë edhe zyrën për komunitet që edhe të kujdeset për mirëqenien e tyre në TMK por edhe zyrën e përkthyesve që sipas nevojës të kenë përkthyesit e duhur në gjuhën e tyre.

Zëri i Amerikës: Politikisht, a është TMK-ja një agjenci e pavarur?

Gjeneral Çeku: Absolutisht po. TMK-ja është institucion i të gjithëve dhe për të gjithë. Ajo është një kompetencë e rezervuar e UNMIK-ut por kemi marrëdhënie të mira dhe të qendrueshme me të gjitha institucionet në Kosovë dhe të gjitha partitë e Kosovës dhe nuk jemi të varur apo të afërt me asnjë parti. Me të gjitha jemi njësoj.

Zëri i Amerikës: Zyrtarisht TMK-ja është një agjenci civile e ngarkuar t’u përgjigjet situatave emergjente dhe nevojave të rindërtimit. A prisni ju te ndryshojë roli i kësaj agjencie në të ardhmen për t’ju përshtatur më shumë përbërjes së saj ushtarake?

Gjeneral Çeku: Të gjitha institucionet në Kosovë e kanë një status të përkohshëm. Edhe TMK-ja ka qenë një kompromis mes faktorit kosovar dhe ndërkombëtarëve që të luajë rolin e vet në procesin politik dhe ne jemi në proces jo që presim të ndryshojë por që ne jemi duke punuar që statusi i TMK-së të ndryshojë për të marrë atë formën dhe pamjes e asaj çka synojmë.

Zëri i Amerikës: E një ushtrie të ardhshme për Kosovën?

Gjeneral Çeku: Absolutisht po. Pa asnjë dyshim.

Zëri i Amerikës: A keni patur ndonjë konflikt me UNMIK-un në këtë drejtim.

Gjeneral Çeku: Nuk kemi patur ndonjë konflikt. Konflikti ka qenë sepse ne dëshirojmë të shkojmë ndoshta më shpejt kurse UNMIK-u dëshiron një proces gradual që të mos shkojë më shpejt se sa procesi prolitik që është duke u zhvilluar. Por pothuajse çdokush e kupton se statusi i tanishëm edhe i Kosovës por edhe i TMK-së tani është i paqendrueshëm dhe shumë shpejt pritet një status i ri. Kjo ka qenë edhe ndër temat kryesore të bisedave të mija këtu në Uashington

XS
SM
MD
LG