Lidhje

Hagë: Juristët po përcaktojnë nëse qeveria holandeze duhet të mbahet përgjegjëse për masakrën e Srebrenicës


Juristët në Hagë kanë filluar të marrin në pyetje dëshmitarët në një seancë gjyqësore që pritet të vendosë nëse qeveria holandeze duhet të mbahet përgjegjëse për vdekjen e mijëra myslimanëve të Bosnjës pas rënies së Srebrenicës.

Gjykata e Rrethit në Hagë filloi të enjten seanca paraprake për të vendosur nëse ekzistojnë prova të mjaftueshme për fillimin e një procesi civil pas akt-padisë së paraqitur nga pjesëtarët e familjeve të myslimanëve të vrarë pas rënies së Srebrenicës në duart e serbëve në vitin 1995. Familjet e viktimave kanë kërkuar kompensim nga qeveria holandeze sepse trupat paqeruajtëse holandeze nuk ishin në gjendje të mbronin të afërmit e tyre. Personat që shpëtuan gjallë nga Srebrenica thonë se paqeruajtësit holandezë nuk bënë asgjë për të mbrojtur 8 mijë djem dhe burra myslimanë të masakruar nga serbët pas rënies së qytetit në Bosnjen Lindore. Kombet e Bashkuara e kishin shpallur më parë Srebrenicën një zonë të sigurtë.

Ndërkohë i ngarkuari me punë i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Roderick Moor, tha të enjten se ideja e zhvillimit të gjyqeve për krime lufte në Serbi është problematike, pasi shumica e serbëve nuk besojnë se forcat e tyre kanë kryer krime gjatë luftrave në Ballkan. Diplomati i lartë amerikan i bëri komentet gjatë një seminari mbi krimet e luftës në Beograd. Gjykata e Hagës mund t’i transferojë disa raste, jo ato kryesoret, në gjykatat lokale të vendeve ballkanike. //az//

XS
SM
MD
LG