Lidhje

Në një konferencë që imiton OKB-në, studentët marrin njohuri për çështjet ndërkombëtare


Çdo vit më shumë se 200 mijë nxënës të shkollave të mesme dhe studentë nga mbarë bota marrin përvojë lidhur me mënyrën e funksionimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera shumëkombëshe nëpërmjet pjesëmarrjes në konferenca të quajtura Modeli i OKB-së. Konferencat organizohen për të edukuar studentët rreth çështjeve botërore, për të nxitur paqen përmes bashkëpunimit dhe diplomacisë së Kombeve të Bashkuara.

Kjo mund të mos duket si selia e OKB-së në New York, por kjo ndërtesë në kampusin e Universitetit George Washington këtu në Washington mirëpriti më shumë se 500 nxënës së shkollave të mesme që morën pjesë në konferencën Modeli i Kombeve të Bashkuara.

Studentët delegatë përfaqësojnë 191 shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara duke marrë rolin e ambasadorëve. Pjesmarrja në këtë imitim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mundëson studentët të mësojnë rreth vendimeve të përditshme që merren në marrëdhëniet ndërkombëtare nga diplomatët dhe udhëheqësit botëror. Qëllimi i çdo konference është të informojë studenttë rreth vendimeve që vendet e tyre marrin në fushën e politikës së jashtme dhe sesi këto vendime ndikojnë në politikat kombëtare, rajonale dhe globale.

Delegatët debatojnë çështje si reforma në Kombet e Bashkuara, përdorimi i forcës, ndihma humanitare dhe shtetet që financojnë terrorizmin.

Ambasadori Karl Inderfurth, ish zëvendës përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së jep mësim tani në shkollën Elliott për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin George Washington. Ai thotë se delegatët në këto konferenca janë e ardhmja e Kombeve të Bashkuara.

"Mendoj se t’i lejosh të rinjtë të punojnë në programe si këto, të mësojnë se çfarë mendojnë vende të tjera, të analizojnë rolin e Ekuadorit, Bangladeshit apo Rusisë, për të kuptuar pikëpamjet e këtyre vendeve që operojnë në Këshillin e Sigurimit apo në Asamblenë e Përgjithshme është mënyrë shumë e mirë për ta vënë veten në vendin e të tjerëve dhe për të parë si merren vendimet. Duhet të bëjmë më shumë konferenca të tilla jo vetëm në nivele studentore por edhe të të rinjve që duan karrierë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Jam i bindur se kjo është një përvojë shumë e mirë".

Jonathan Katz është nxënës nga një shkollë e mesme në Pittsburgh të Pensilvanisë i cili u habit nga zëri që ka secili vend në Asamblenë e Përgjithshme. Ai përfaqësonte Venezuelën në këtë konferencë.

"Zakonisht nuk dëgjojmë për vendet e vogla. Por në Kombet e Bashkuara përmes kësaj konference patën rastin të shohim përfaqësimin e të gjitha vendeve dhe mendoj se kjo është e rëndësishme".

Jessica Turnbull, gjimnaziste po nga Pittsburgu shpreson se përvoja e marrë këtu do ta ndihmojë atë kur të fillojë kolegjin në shtator.

"Kjo ishte një mënyrë e shkëlqyer për të diskutuar rreth çështjeve dhe për të folur për politikën e jashtme, për të cilën shumë nga ne adoleshentët nuk janë vërtet të interesuar", thotë ajo.

Përkrahësit e konferencave të tilla thonë se përvoja këtu u ofron studentëve njohuri për arritjen e konsensusit, zgjidhjen e konflikteve, për kompromisin dhe bashkëpunimin. Eamon Downey, këshilltar i konferencës nga Princeton i New Jerseyt ka qënë i angazhuar në këtë program për më shumë se dy dekada.

"Pjesëmarrja në komisione të tilla dhe shqyrtimi i çështjeve si ajo e refugjatëve nga Darfuri apo gjithë problemeve të tjera ndërkombëtare që duhet të zgjidhen, zgjeron horizontin e tyre".

Shumë nxënës që marrin pjesë në konferenca të tilla përparojnë shpesh në karrierën e tyre. Në listë përfshihen ish Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright dhe anëtari i Gjykatës së Lartë amerikane Stephen Breyer.

XS
SM
MD
LG