Lidhje

Scheffer: Nëse nuk ka përparim vlerësimi i standardeve mund të shtyhet


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, tha sot se procesi i vlerësimit politik të standardeve për Kosovën që do të hapte rrugën për zgjidhjen e statusit të saj politik varet nga vetë qytetarët e Kosovës. Ai i bëri këto komente gjatë vizitës njëditëshe në Prishtinë gjatë së cilës së bashku me ambasadorët e Këshillit të NATO-s u takua me udhëheqësit më të lartë vendas dhe ndërkombëtarë. Ai deklaroi pas takimeve me autoritetet e këtushme se vlerësimi pozitiv i standardeve dhe rezultati i tyre nuk janë një përfundim i pashmangshëm.

"Nëse nuk ka një përparim të vazhdueshëm dhe konkret në përmbushjen e standardeve, procesi natyrisht se mund të shtyhet", tha zoti Scheffer duke shfaqur shpresën se kjo nuk do të ndodh, por e tëra varet nga përparimi i mëtejmë që duhet bërë nga përgjegjësit në Kosovë.

Ai tha se çështja kryesore është mbrojtja e pakicave, sikur edhe pjesëmarrja e serbëve në Institucionet e Përkohshme të Kosovës, duke nënvizuar se pjesë e përparimeve duhet të jetë edhe shtyrja përpara e procesit të decentralizimit dhe bisedimet politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që sipas tij duhet të tejkalojnë çështjet teknike.

"Çfarëdo ekstremizmi ose dhune, do të kthente prapa përparimin dhe nuk duhet e nuk do të tolerohet".

Duke e cilësuar këtë periudhë si vit jetik për Kosovën zoti Scheffer tha se ajo duhet të demonstrojë maturi politike. Ai nënvizoi se përgjegjësitë në Kosovë, duhet t’i pranojnë si shumica ashtu edhe pakica, ndërsa partitë politike në Kosovë duhet të gjejnë një rrugë për të punuar së bashku. Zoti Schefer u zotua ndërkaq se Aleanca Veri atlantike mbetet e përkushtuar në misionin e saj në Kosovë, ku siç tha ai, ka zhvillime trimëruese, por mbetet ende punë për të bërë.

XS
SM
MD
LG