Lidhje

UNESCO-ja mban konferencë dhuruesish për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës


Agjencia e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, mbajti sot në Paris një konferencë dhuruesish për grumbullim fondesh me synim mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë, siç janë kishat dhe manastiret mesjetare që u dëmtuan nga dhuna etnike e vitit të kaluar. Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen thotë se një pjesë e fondeve do të përdoren për mirëmbajtjen e objekteve që ndonëse nuk janë dëmtuar, kanë nevojë të ngutshme për mirëmbajtje.

UNESCO-ja shpreson të grumbullojë rreth 58 milion dollarë për 75 objekte kulturore që kanë nevojë të ngutëshme për riparime.

Para se të nisej për në Paris, shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen tha se trashëgimia në Kosovë duhet të mbrohet me ndihmën e dhuruesve të huaj.

"Trashëgimia kulturore në Kosovë është shumë e rëndësishme sepse ajo përfaqëson diçka që u përket të gjithëve, jo vetëm njerëzve në Kosovë por në të gjithë rajonin dhe Evropën, prandaj ajo duhet ruajtur dhe duhet mbrojtur. Dhe për ta mbrojtur atë ne kemi nevojë për fonde, sepse një pjesë e mirë e kësaj trashëgimie është mjaft e vjetër dhe në gjendje shumë të keqe. Prandaj ne vendosëm me UNESCO-n organizimin e kësaj konference. Kjo është një konferencë jopolitike, por e thënë me dy fjalë, ne duhet të veprojmë para se të jetë tepër vonë," tha zoti Jessen-Petersen.

Gjatë dhunës së marsit vitin e kaluar, grupe shqiptarësh vunë në shënjestër pakicën serbe dhe pasurinë e tyre duke dëmtuar ose shkatërruar më shumë se 30 kisha.

Qeveria e Kosovës caktoi 5.17 milion dollarë për rindërtimin e kishave të shkatërruara por riparimi i tyre është pezulluar për shkak të mosmarrëveshjeve me udhëheqësit e kishës serbe.

Në vitin 2003, UNESCO-ja shpalli Manastirin e Deçanit të shekullit të 14, në Kosovën perëndimore, objekt të trashëgimisë botërore.

Ky manastir, që ndodhet midis pyjesh dhe malesh është objekti më i madh mesjetar dhe i ruajturi më mirë në Kosovë.

Megjithëse manastiri nuk u dëmtua gjatë dhunës, UNESCO-ja do të ndihmojë UNMIK-un për mbrojtjen e këtij objekti.

XS
SM
MD
LG