Lidhje

FBI-ja do të vendosë agjentë të përhershëm në Hungari


Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve, thotë se kjo agjenci po stacionon në mënyrë të përhershme agjentë të saj në Hungari, në përpjekje për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin në Evropën Lindore dhe në ish Bashkimin Sovjetik. Zoti Robert Mueller ishte në Budapest për t’u takuar me politikanët hungarezë dhe për të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e 10-vjetorit të Akademisë Ndërkombëtare për Zbatimin e Ligjit. Korrespondenti ynë Stefan Bos njofton nga Budapesti.

Drejtori i FBI-së, Mueller thotë se agjentët e FBI-së dhe të policisë hungareze po marrin pjesë në një grup të posaçëm për luftimin e krimit të organizuar dhe të terrorizmit.

Zoti Mueller thotë se ky grup ka qenë aq i suksesshëm që nga fillimet e tij para 5 vjetësh saqë FBI-ja po stacionon tani agjentë në mënyrë të përhershme në Hungari.

Ai thotë se agjentët bashkëpunojnë ngushtë me policinë hungareze, e cila ndjek modelin e FBI-së amerikane për të luftuar aktivitetet e krimit të organizuar.

"Fjala është për veprimtari të tilla si terrorizmi, trafiku i narkotikëve, shantazhet për nxjerrje parash dhe sidomos trafiku i personave i cili vazhdon të jetë një problem i rëndë kudo në Evropë dhe në Hemisferën Perëndimore."

Zoti Mueller i bëri komentet gjatë një takimi në Budapest me rastin e 10-vjetorit të Akademisë Ndërkombëtare për Zbatimin e Ligjit që u mbajt dje dhe sot. Në takim morën pjesë ministra të brendshëm dhe zyrtarë të tjerë të antikrimit nga 26 vende.

Akademia u ngrit nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe të Hungarisë për të stërvitur dhe pajisur më mirë policët dhe zyrtarët e tjerë të antikrimit duke përfshirë gjyqtarët dhe prokurorët, kryesisht në vendet ish komuniste.

Zyrtarët amerikanë shqetësohen se grupet kriminale ruse ose nga vende të tjerë si dhe organizata të ndryshme terroriste e kanë tani ndoshta më të lehtë të fusin kontrabandë armë të shkatërrimit në masë si dhe të merren me trafik droge ose personash.

Ceremonia e sotme e diplomimit u mbajt pas dyerve të mbyllura, siç duket për arësye sigurimi.

Carl Truscott, zyrtar i FBI-së, u kërkoi të sapo diplomuarve nga vendet ish komuniste që ta fillojnë punën me një ide bazë, me konceptin e së drejtës dhe së gabuarës.

Në kushtet kur korrupsioni mbetet problem mes policisë e cila paguhet shumë pak në vendet ish komuniste, zyrtarët amerikanë shpresojnë se akademia e Budapestit e financuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, do të ndihmojë në përmirësimin e etikës dhe efeiktivitetit të punës së forcës policore në këto vende.

XS
SM
MD
LG