Lidhje

Vazhdojnë protestat anti-amerikane në Afganistan


Protesta të dhunshme anti-amerikane vazhduan për të katërtën ditë me radhë në Afganistan, ndërsa thirrjet për protesta në Pakistanin fqinj nuk tërhoqën njerëz të shumtë. Zyrtarët afganë thonë se të paktën 8 persona të tjerë u vranë në përleshjet e sotme me policinë.

Në Pakistan, Partitë Islamike bënë thirrje për protesta masive, por vetëm pak qindra demonstrues u përgjigjën thirrjeve në qytetet e mëdha. Protestat pasuan njoftime të pavërtetuara sipas të cilave hetuesit amerikanë përdhosën Kuranin gjatë hetimeve në burgun e Guantanamosë në Kubë.

Demonstratat në Afganistan filluan të martën, pasi revista amerikane Newsweek njoftoi se hetuesit kishin përdhosur Kuranin për të shkaktuar stres tek të ndaluarit. Zyrtarët amerikanë thanë se nuk kanë gjetur fakte që mbështesin njoftimin se një incident i tillë ka ndodhur. Zyrtarët ushtarakë fajësojnë për trazirat në Afganistan pakënaqësitë e brëndshme politike dhe jo njoftimin për përdhosjen e Kuranit.

Shtëpia e Bardhë përsëriti sot thirrjet për qetësi dhe shtoi se i shqyrton me seriozitet njoftimet për shkelje të tilla të simboleve fetare. Zyrtarë sauditë dhe Asambleja Kombëtare e Pakistanit dënuan sot përdhosjen, sipas njoftimeve, të Kuranit dhe bënë thirrje për hetimin e njoftimeve. Ndërkohë Sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice u kërkoi myslimanëve kudo në botë që t’i hedhin poshtë thirrjet për dhunë nga njerëzit e indinjuar nga njoftimet e medias për përdhosjen e Kuranit nga hetuesit amerikanë në Gjirin e Guantanamos.

Deklarata e saj pasojnë protesta anti-amerikane në disa qytete afgane, të cilat shkaktuan dje vdekjen e të paktën tre personave të tjerë. Protestat anti-amerikane pasuan një artikull të revistës Newsweek në të cilin thuhej se hetuesit që po përpiqeshin të hidhnin dritë mbi abuzimet e mundshme në burgun ushtarak amerikan në Gjirin e Guantanamos në Kubë kishin zbuluar se personat përgjegjës për marrjen në pyetje të të burgosurve kishin vënë kopje të Kuranit nëpër banja.

Dje në Washington, administrata e Presidentit Bush iu përgjigj akuzave. Duke folur para ligjvënësve amerikanë, Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice tha se Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë lëshime kur bëhet fjalë për mosrespektimin e Kuranit.

"Kohët e fundit ka pasur akuza për mosrespektimin e Kuranit nga hetuesit në Gjirin e Guantanamos dhe një gjë e tillë ka ofenduar shumë njerëz. Autoritetet tona ushtarake po i shqyrtojnë në hollësi këto akuza. Nëse vërtetohet që ato kanë ndodhur, ne do të marrim masat e duhura. Respekti për liritë fetare të të gjithë individëve është një nga parimet bazë të Shteteve të Bashkuara".

Duke iu referuar tri ditëve të protestave vdekjeprurëse, Sekretarja Rice u kërkoi njerëzve në gjithë botën që të hedhin poshtë nxitjen për dhunë nga ata për të cilët ajo tha se i shtrembërojnë synimet e Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë në Pentagon, shefi i shtatmadhorisë Gjenerali Richard Myers u tha gazetarëve se komandanti amerikan në Afganistan thotë se të paktën në një qytet afgan, protestat nuk kanë lidhje me akuzat për Guantanamon.

"Komandanti ynë në Afganistan, gjeneral Eichenberry thotë se në fakt dhuna në Jalalabad mund të mos jetë rezultat i akuzave për mosrespektimin e Kuranit, por më shumë e lidhur me procesin politik dhe atë të pajtimit që Presidenti Karzai dhe kabineti i tij po kryejnë në Afganistan".

Gjenerali Myers tha gjithashtu se hetuesit në Guantanamo nuk mund ta konfirmojnë ende nëse incidentet me Kuranin kanë ndodhur vërtet.

XS
SM
MD
LG