Lidhje

Vazhdojnë protestat në Uzbekistan


Protestat në Uzbekistanin lindor vazhdojnë mes njoftimeve për qindra të vdekur, një ditë pasi ushtarët hapën zjarr ndaj turmave në qytetin e Andijonit.

Sipas njoftimeve të shtypit turmat janë derdhur në sheshin qendror të qytetit pas një dite tjetër protestash.

Banorët dhe anëtarët e organizatave uzbeke të të drejtave të njeriut thonë se trupat i mblodhën provat e masakrës gjatë natës, duke mbushur katër kamionë dhe një autobus me trupa. Sipas dëshmitarëve, 200 ose më shumë njerëz janë vrarë.

Gazetarët panë gjak dhe prova të tjera të vrasjeve. Më pas autoritetet mbajtën të ndaluar për një kohë të shkurtër gazetarët dhe pastaj i përzunë nga qyteti.

Presidenti Islam Karimov tha se ekstremistët myslimanë ishin përgjegjës për dhunën duke shtuar se 10 trupa qeveritare dhe shumë protestues kishin humbur jetën.

Mijëra uzbekë u arratisën nga Andijoni drejt Kirgistanit pas trazirave. Autoritetet e Kirgistanit e mbyllën kufirit, duke shkaktuar protesta dhe djegien e automjeteve të policisë.

Kryengritja që filloi dje është sfida më e rëndësishme ndaj Presidentit Islam Karimov që është në pushtet që nga periudha sovjetike.

Përleshjet rifilluan sot në mëngjes në qytetin lindor të Andijonit, një ditë pasi ushtarët uzbekë shpërndanë me dhunë protestat civile.

Doktorët në një spital të qytetit thonë se të paktën 50 vetë u vranë gjatë trazirave të djeshme, ndërsa disa dëshmitarë thonë se numri i të vdekurve është më i madh.

Disa dëshmitarë thonë se ushtarët hapën zjarr ndaj mijëra njerëzve që ishin mbledhur në sheshin kryesor të qytetit në përkrahje të personave të armatosur që kishi liruar nga burgu 23 biznesmenë lokalë që mbaheshin atje që në shkurt.

Qeveria thotë se personat e armatosur ishin anëtarë të një organizate islamike të nxjerrë jashtë ligjit në një vend ku lejohen vetëm aktivitete fetare që kontrollohen nga shteti.

Por përkrahësit e tyre thonë se akuzat janë një justifikim për t’shtypur ata nga një qeveri për të cilën organizatat e të drejtave të njeriut thonë se përdor torturën dhe arrestimet arbitrare kundër atyre që mendon se i ka kundërshtarë.

Banorët e qytetit thonë gjithashtu se ata persona kanë biznese që punësojnë shumë vetë në Luginën e varfër Ferghana, një rajon që njihet për prirjet anti-qeveritare.

Kryengritja është kriza më serioze për Islam Karimovin që ishte në qytet të premten, para se të kthehej në kryeqytetin Tashkent.

Një situatë e ngjashme doli nga kontrolli në Kirgistanin fqinjë marsin e kaluar dhe solli si rezultat përmbysjen e udhëheqësit totalitar të atij vendi.

Në Washington, Shtëpia e Bardhë bëri thirrje për vetëpërmbajtje, për të shmangur gjakderdhje të mëtejshme. Të njëjtën gjë bënë edhe qeveritë evropiane.

Rusia e ka ndjekur me shqetësim zhvillimin e ngjarjeve, ndërsa Ministria e Jashtme fajësoi për dhunën esktremistët dhe shprehu mbështetjen për zotin Karimov. Victor Zavarzin është Kryetari i Komisionit parlamentar të Mbrojtjes.

"Autoritetet uzbeke duhet të marrin nën kontroll gjendjen dhe se Rusia nuk do të ndërhyjë, duke respektuar ligjet ndërkombëtare dhe marrëveshjet dypalëshe".

Që nga viti 2001 në Uzbekistan ndodhet një bazë ushtarake ajrore amerikane për operacione në Afganistanin fqinjë. Baza ndodhet në jug, larg nga vendi ku po zhvillohen kryengritjet.

XS
SM
MD
LG