Lidhje

Toska:  Lufta kundër trafikut të drogës, e vështirë dhe e gjatë


Në Uashington përfundoi një vizitë ministri shqiptar i rendit publik Igli Toska, i cili u takua me një numër zyrtarësh amerikanë, mes të cilëve tërheqin vemendjen zyrtarë të FBI-së dhe DEA-s - agjencia për luftën kundër narkotikëve. Në një intervistë eksluzive, ministri Toska i tha Zërit të Amerikës se lufta kundër trafikut të drogës është e vështirë dhe e gjatë.

Zëri i Amerikës: Zoti Toska, ju keni patur një program të ngjeshur takimesh në Uashingron. Cilat ishin temat kryesore të diskutimeve.

Igli Toska: Pata një vizitë pune me ftesë të institucioneve zyrtare të sektorëve të drogës dhe krimit të organizuar në Uashington. Krahas këtyre vizitave pata edhe disa takime në Departamentin e Shtetit ku me zyrtarët më të lartë të këtij Departamenti diskutuam për çështje të situatës në rajon dhe për zgjedhjet. Me autoritetet më të larta të sektorëve antidrogë dhe krimit të organizuar ne diskutuam për nivelit të deritanmishëm të bashkëpunimit me të dyja këto institucione, DEA dhe FBI si dhe rakorduam për të rritur nivelin e bashkëpunimit duke e çuar atë në nivel operacional si dhe duke menduar për të ngritur grupe të përbashkët pune pikërisht për të qenë më efikasë në luftën e trafikut të drogës dhe të krimit të organizuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, nuk e di se sa dakord jeni ju me mendimin se Shqipëria është tashmë një linjë e zakonshme trafikimi nga lindja për në perëndim. Nuk ka dyshim se ka një shtim në kapjen e drogës në Shqipëri por të mos harrojmë se kjo flet edhe për një shtim të fluksit të drogës që hyn.

Igli Toska: Nuk do të thosha tamam kështu por do të thosha se çështjet e trafikut të drogës janë çështje vërtet shqetësuese për mbarë rajonin, jo vetëm për Shqipërinë. Natyrisht edhe Shqipëria si pjesë e rajonit ka problematikën e saj në luftën që i bën këtij trafiku por unë do të thosha se ky është një fenomen mbarërajonal. Për ta ilustruar me një shembull konkret se çka bërë Shqipëria në luftë kundër këtij trafiku, do të thosha se krahas strategjive qeveritare dhe planeve të veprimit konkret që ne kemi me partnerët ndërkombëtarë, vetëm vitin e kaluar policia shqiptare ka arritur të sekuestrojë sasi të tillë droge që është më e madhe se sa e gjithë sasia e heroinës që është kapur për 15 vjetët e fundit të marrë së bashku në Shqipëri. Kuptohet që pas kësaj lind ajo pyetje që shtruat edhe ju, pra që ndoshta janë rritur sasitë e drogës që trafikohen nga Shqipëria. Edhe mund të jetë kështu por një gjë është e sigurt: që në momentin që policia arrin të ketë tilla kapje, të ketë të tillë sukses në këtë trafik, i cili është vëertet trafik i vështirë për t’u zbuluar për vetë specifikën që ka, trafikantët që tentojnë ta trafikojnë atë, kur shohin që policia po reagon, po vepron, padyshim që do të kenë një tërheqje. Pra nuk shkon në atë logjikën që ne kemi kapur në vitin 2004 sasira të tilla që nuk janë kapur në 15 vjet dhe të themi se janë rritur sasirat që trafikohen nga e njëjta rrugë ballkanike.

Zëri i Amerikës: Ju kuptoj zoti Ministër, por si shpjegohet që kapjet më të mëdha të drogës në Itali bëhen në bregdetin adriatik dhe Italia bën më shumë arrestime trafikantësh se sa Shqipëria?

Igli Toska: Këtu ndoshta do të ndaj mendim të kundërt pasi për herë të parë gjatë vitit 2004 ne kemi patur operacione të përbashkëta me strukturat e policisë gjyqësore italiane dhe në sajë të kombinimit të resurseve njerëzore që ne kemi, me mjetet teknike logjistike që ata ne kemi bërë të mundur dokumentimin dhe vënien para drejtësisë penale të tre grupeve të organizuara kriminale vetëm gjatë vitit 2004. Është e vërtetë që ka elementë shqiptarë në grupet e organizuara kriminale që merren me narkotrafikun në Itali por kuptohet që pjesë e atij trafiku janë edhe shtetas të atij vendi. Lufta kundër trafikut të drogës është e gjatë pasi ky fenomen nuk ka lindur sot, pra nuk ka lindur në 2004-ën dhe u bë problematik pikërisht sepse në 2004-n ne arritëm të sekuestrojmë këto sasira. Kjo ka nisur shumë kohë përpara dhe padyshim, trafikantët për të arritur deri në këto nivele heroine, e kanë filluar me sasi më të vogla deri sa kanë arritur këtu.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, si shpjegohet që u mbyll qendra rajonale e Vlorës? A dështoi ajo si koncept, apo Shqipëria u bë vend kaq i pastër nga kjo pikëpamje?

Igli Toska: Qendra anti-trafik e Vlorës nuk është mbyllur. Ajo e ka plotësuar krejtësisht misionin për të cilin është ngritur. Ajo është ngritur në momentin kur problemi shqetësues, jo vetëm për rendin, por edhe për qeverinë shqiptare, ishte pikërisht trafiku klandestin. Me mbylljen plotësisht të trafikut klandestin nga Shqipëria, unë do të thosha që ne jemi vendi i parë dhe i vetëm në rajon që e kemi çuar në zero, simbas të thënave të zyrtarëve të lartë të shtetit italian, kalimin e paligjshëm të kufirit. Pra, jemi i vetmi vend në rajon që aktualisht e kemi në minimumin historik trafikun e qenive njerëzore. Unë thashë që kjo qendër nuk është mbyllur, por po shikohet mundësia për të rritur diapazonin e veprimtarisë së saj dhe për të shtuar edhe disa aktivitete të tjera në mënyrë që të jetë përsëri funksionale për të shërbyer edhe kundër trafiqeve të tjera ilegale, siç janë trafiku i drogës, kontrabanda etj.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, ditët e fundit në mediat shqiptare po flitet për bashkëpunim të hapur të policisë me njerëz të botës së krimit. Siç thatë ju, klandestinë, formalisht nuk ka më, por ama skafet me drogë vazhdojnë të kalojnë drejt Italisë.

Igli Toska: Do të thosha që fenomeni i skafeve është historik për Shqipërinë. Gjatë vitit 2004 ju keni pasur mundësi të ndiqni nga mediat shumë operacione policore të cilat kanë bërë të mundur kapjen e skafeve në brigjet shqiptare në tentativë për ta lënë bregdetin shqiptar, madje, po në thellësi të territorit, kemi identifikuar dhe goditur grupe të organizuara trafikantësh, të cilët tentonin të bënin kalim të paligjshëm të kufirit të qenieve nejrëzore. Pra, kanë qenë një numër shumë i madh operacionesh, sidomos në vitin 2004 numërohen mbi 15 operacione të tilla. Ka patur gomone të kapura, klandestinë, të cilët janë kapur në tentativë për ta lënë kufirin, si dhe goditje të organizatorëve të grumbullimit të këtyre njerëzve, të cilët padyshim, shpresonin për një jetë më të mirë dhe tentonin që të kalonin kufirin. Prapë, ne kemi arritur në një pikë të tillë, sa pikërisht jemi në momentin kur mundësia e policisë shqiptare po arrin të parandalojë fenomenin e kalimit të paligjshëm të kufirit, apo fenomenin e kalimit klandestin të kufirit.

XS
SM
MD
LG