Lidhje

SHBA paralajmëron Korenë e Veriut të mos kryejë prova bërthamore


Shtetet e Bashkuara dhe Japonia thonë se do të ndërmarrin hapa për të ndëshkuar Korenë e Veriut nëse kryen prova bërthamore. Këshilltari amerikan i Sigurimit Kombëtar Stephen Hadley tha se një provë bërthamore do të ishte një akt i rëndë sfidues nga Pheniani.

Më parë kreu i Partisë Liberal Demokrate japoneze në pushtet tha se Tokioja do të kërkojë vendosjen e sanksioneve ekonomike kundër Koresë së Veriut nëse kryen ndonjë provë bërthamore. Shinzo Abe tha se do të ishte e paimagjinueshme të mos ndërmerren veprime nëse Pheniani kryen prova me armë bërthamore.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se Koreja e Veriut mund të jetë duke u përgatitur për një provë bërthamore, duke u bazuar në fotografitë satelitore ku ata thonë se shfaqen pamje të dyshimta në afërsi të qytetit bregdetar Kilju. Koreja e Veriut ka thënë se do të konsiderojë çdo sanksion si një shpallje lufte.

Në një intervistë për emisionin e lajmeve Fox News Sunday, Këshilltari i Sigurimit Kombëtar Stephen Hadley paralajmëroi Korenë e Veriut të mos kryejë ndonjë provë bërthamore: "Nëse ka ndonjë provë bërthamore, pa diskutim një akt i tillë do të përbënte një mospërfillje nga ana e Phenianit kundrejt çdo pjesëtari të bisedimeve 6-palëshe, përfshirë Kinën," tha zoti Hadley.

Bisedimet gjashtë-palëshe përfshijnë Shtetet e Bashkuara, Korenë e Veriut, Kinën, Korenë e Jugut, Japoninë dhe Rusinë. Bisedimet filluan në gusht 2003, por vitin e kaluar ngecën pasi Koreja e Veriut nuk pranoi të kthehej në tryezën e bisedimeve. Japonia bëri thirrje kohët e fundit që çështja e Koresë së Veriut t’i paraqitej Këshillit të Sigurimit të OKB-së për sanksione të mundshme.

Ky qëndrim bie në kundërshtim me komentet e Kinës javën e kaluar se Pekini nuk dëshiron të përdorë sanksionet për t’i bërë trysni Phenianit. Zoti Hadley pohoi se ka dallime në qëndrimet e pesë vendeve të përfshirë në negociata me Korenë e Veriut. Por ai shtoi se të gjitha vendet, përfshirë Kinën kanë të njëjtat synime:

"Mendoj se më e rëndësishmja është se në nivelet më të larta qeveritare ka përputhje të mendimeve se Koreja e Veriut nuk duhet të lejohet të bëhet një fuqi bërthamore. Ne po punojmë në bazë të një strategjie për të ushtruar trysni mbi Korenë e Veriut," tha zoti Hadley.

Këshilltari i Sigurimit Kombëtar nuk foli për hapat që do të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara, por theksoi se Uashingtoni ka ushtruar dhe do të vazhdojë të ushtrojë trysni diplomatike mbi Phenianin.

XS
SM
MD
LG