Lidhje

Sekretarja Rice zhvillon një vizitë të papritur në Irak


Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleeza Rice bëri të djelën një vizitë të papritur në Irak, ku filloi bisedimet me autoritetet amerikane dhe irakiane, në përpjekje për të vënë nën kontroll kryengritjen që ka shkaktuar vdekjen vetëm këtë muaj të 400 vetëve.

Zonja Rice mbërriti nën masa të rrepta sigurie në Irakun Verior, ku u takua me udhëheqësin kurd, Massoud Barzani. Më pas zonja Rice shkoi me avion në Bagdad për takime me udhëheqësit e qeverisë dhe komandantë amerikanë.

Ndërkohë, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Stephen Hadley, thotë se nuk mundet të konfirmojë njoftimet, sipas të cilave udheheqësi terrorist Al-Zarkawi është plagosur rëndë në Irak. Ai i bëri këto komente, pasi gazeta britanike Sunday Times, citonte një mjek irakian të ketë thënë se e mjekoi Zarkawin të mërkurën, në një spital të Ramadit. Mjeku tha se terroristi erdhi në spital me hemoragji të madhe dhe pas mjekimit të plagës, ai u largua menjëherë nga spitali, megjithë rekomandimin e mjekëve që të qendronte në spital.

Ndërkohë, autoritetet thonë se në Irak u gjetën trupat e 34 personave, që sipas shenjave ishin ekzekutuar nga kryengritësit në Bagdad. Ndërsa në qytetin e Ramadit, u gjetën trupat e 10 ushtarëve irakianë.

Sulmet e kryengrtisëve vazhduan edhe të djelën. Persona të armatosur në Bagdadin Perëndimor vranë zyrtarin e Ministrisë së Brendshme, Jassam Mohammed al-Lahidi, dhe shoferin e tij. Gjithashtu, u vranë një klerik shiit, Qazim al-Ghaeawi, dhe nipi i tij.

Në një tjetër incident, policia thotë se tre vetë u vranë në një shpërthim me bombë pranë makinës me të cilën po udhëtonte guvernatori i provincës Dijala, Raed Hamid al-Mullah Jawad. Të tre personat që u vranë ishin rojet e tij personale dhe vetë zoti Jawad mundi të shpëtojë. //az//

XS
SM
MD
LG