Lidhje

Avokatët mbrojtës të ish kryeministrit Haradinaj parashtojnë strategjitë


Seanca gjyqësore për çështjen e mbrojtjes në liri të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili akuzohet nga gjykata ndërkombëtare e Hagës për krime lufte dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës, pritet të mbahet në martën e ardhshme.

Zoti Haradinaj do të jetë i pranishëm në këtë seancë. Avokatët mbrojtës të ish-kryeministrit, kanë thënë se kanë marrë nga UNMIK-ut qartësimet e nevojshme lidhur me garancitë që janë dhënë nga misioni i Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen në liri të zotit Haradinaj.

Michael O'Reilly, bashkrenduesi i avokatëve të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili gjendet në gjykatën e Hagës, i akuzuar për krime lufte dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës, konfirmoi sot në Prishtinë se séance gjyqësore për çështjen e mbrojtjes së zotit Haradinaj në liri, do të mbahet të martën e ardhshme.

Avokati Michael O’Reilly, u tha gazetarëve se tashmë janë bërë qartësimet e duhura dhe mbrojtja është e kënaqur që i është përgjigjur të gjitha kundërshtimeve të prokurorisë për mbrojtjen në liri të ish-kryeministrit të Kosovës. Zoti O’Reilly pohoi se garancitë shtesë që kërkoheshin nga UNMIK-u, për mbrojtjen në liri të zotit Haradinaj, janë dhënë tashmë. Ishin disa qartësi që kërkoheshin nga UNMIK-u, lidhur me garancitë dhe ato qartësime tani janë dhënë dhe ne jemi të kënaqur që ka garanci të mjaftueshme për gjykatën.

Bashkërenduesi i avokatëve të zotit Haradinaj, pohoi gjithashtu se UNMIK-u ka dhënë garanci të mjaftueshme që nëse gjykata e Hagës do të kërkonte ridërgimin e zotit Haradinaj përsëri në Hagë pas vendimit për mbrojtjen e tij në liri, do të mund ta bënte këtë.

Po sot, në njëmujorin e vrasjes së vëllait të ish-kryeministrit, Enver Haradinaj, Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe Unioni i Studentëve Shqiptarë, organizuan mbajtjen e një minutë heshtje në orën 14:45, kur u vra Enver Haradinaj, në të gjitha shkollat e larta dhe fakultetet e Universiteteve të Prishtinës, Tiranës dhe Tetovës.

Studentët kërkuan që organet e hetuesisë dhe të gjyqësisë të zbardhin vrasjet që kanë ndodhur në Kosovë dhe që ende mbeten misterioze. Në një zhvillim tjetër, sot në Kosovë, mbërrin për një vizitë tre-ditëshe një delegacion zyrtar nga Mali i Zi, i cili do të bisedojë me autoritetet vendase lidhur me çështjen e të zhvendosurve nga Kosova në Mal të Zi dhe kthimin e tyre në shtëpitë e veta në Kosovë. UNMIK-u ka theksuar se po bëhen përpjekje për përshpejtimin e kthimit personave të zhvendosur në Kosovë ndërsa qeveria e kryeministrit Bajram Kosumi, po kërkon të bindë serbët e Kosovës se interesat e tyre mbrohen në Kosovë dhe jo në Beograd.

Qeveria e Serbisë ka miratuar një dokument për kthimin e të zhvendosurëve nga Kosova sipas të cilit kthimi i qëndrueshëm është i mundshëm nëse bëhet në grupe më të mëdha.

XS
SM
MD
LG