Lidhje

Mbyllja e bazave ushtarake amerikane


Pentagoni rekomandoi të premten mbylljen e 33 bazave kryesore ushtarake në Shtetet e Bashkuara si dhe 150 instalimeve ushtarake më të vogla. Riorganizimi i bazave ushtarake do t’i kursejë Departamentit të Mbrojtjes gati 49 miliardë dollarë gjatë 20 vjetëve të ardhshme dhe do të shkurtojë njëkohësisht 29 mijë vende pune.

Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld rekomandoi një sërë mbylljesh dhe ristrukturimesh të bazave ushtarake, të cilat, të kombinuara me riorganizimin e bazave jashtë vendit pritet t’i kursejnë Shteteve të Bashkuara 64 miliardë dollarë. Në vitin 2005 buxheti i Departamentit të Mbrojtjes i kaloi 400 miliardë dollarët. Sipas zotit Rumsfeld, ndërsa kursimi i kostos së bazave është i rëndësishëm, mbyllja e tyre synon ta çojë ushtrinë amerikane drejt shekullit të 21të. "Sot Departamenti i Mbrojtjes përsëri ka nevojë për ndryshime dhe përshtatje. Organizimi i tanishëm i hartuar për periudhën e Luftës së Ftohtë duhet të ndryshojë sipas kërkesave të reja të luftës kundër ektremistëve dhe sfidave të reja të shekullit të 21-të".

Mbyllja e bazave u bë në përputhje me një rishikim të gjendjes globale. Zoti Rumsfeld tha se propozimi për mbylljen dhe riorganizimin e bazave mori gjithashtu në konsideratë mënyrën sesi shërbime të ndryshme ushtarake mund të funksionojnë më mirë.

Në përpjekje për të eliminuar shkurtimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e bashkëpunimit në shërbime, Mike Wynne, Nënsekretari i Mbrojtjes për Rekrutimin, Teknologjinë dhe Logjistikat tha se Pentagoni po propozon një shkollë të përbashkët të transportimit dhe për stërvitjen e pilotëve. "Një nga angazhimet më të rëndësishme të shërbimeve është ndërtimi i një baze të përbashkët stërvitore për pilotët në një vend të vetëm ndryshe nga deri tani, ku kemi patur shumë baza stërvitore, ku pilotët merrnin mësime për njëjtin model avioni". Propozimi përfshin edhe riorganizimin e një numri njësish rezerviste të Gardës dhe të qendrave të rekrutimit. 40 përqind e trupave amerikane që shërbejnë në Irak janë nga këto njësi.

Mbyllja e bazave është një subjekt politik mjaft delikat për ligjvënësit, pasi ato ndikojnë direkt në vendet e punës për komunitetet nga ku këta politikanë janë zgjedhur. Për këtë arsye, reagimi i ligjvënësve ndaj vendimit ishte i shpejtë dhe i ashpër. Senatorja republikane Olympia Snowe nga shteti Maine, që pritet të humbë gati 7 mijë vende pune nga ristrukturimi, e quajti vendimin e Pentagonit “të habitshëm dhe shkatërrimtar”.

Edhe senatori demokrat Pete Domenici nga Shteti New Mexico ndjehet i kërcënuar nga mbyllja e Bazës Ajrore Cannon dhe premtoi se do ta luftojë propozimin. " Është një ditë zhgënjyese, por lufta nuk ka mbaruar. Ne do të përpigjemi të zbulojmë se ku e kanë bazuar këtë vendim dhe do të mbledhim faktet tona. Mendoj se janë bërë gabime dhe ne duhet t’i argumentojmë komisionit të riorganizimit të bazave ushtarake se kanë gabuar në analizat e tyre".

Në se ligjvënësit do të arrijnë të ndikojnë tek pesë nga 10 anëtarët e Komisionit për Mbylljen e Bazave Ushtarake për të ndryshuar rekomandimet e Pentagonit ata mund t’I shpëtojnë bazat në shtetet e tyre. Komisioni ka marrë një kopje të raportit dhe do të fillojë të dëgjojë dëshmi nga palët e interesuara javën e ardhshme. Hetimi i tyre do të vazhdojë gjatë verës dhe pritet që komisioni t’ia dërgojë rekomandimet presidentit Bush në shtator.

Presidenti, më pas do t’i rishikojë ato dhe do t’i dërgojë në Kongres. E vetmja mënyrë atëherë për të rrëzuar vendimin do të jetë një votim kundër në të dyja dhomat e Kongresit. Në të kundërtën, rekomandimet do të kthehen në ligj dhe ristrukturimi dhe mbyllja e bazave do të fillojë në vitin 2006.

XS
SM
MD
LG