Lidhje

Maqedoni - Rruga e tretë kërkon të vendosë embargo ndaj Kosovës


Një koalicion prej tre partish politike opozitare në Maqedoni i njohur si “Rruga e tretë” kërkoi sot nga qeveria e vendit që të vendosë embargo të plotë ndaj Kosovës, deri sa të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura.

Koalicioni thotë se paralajmërimet e UNMIKut dhe autoriteteve të Kosovës për vënien e vizave dhe doganave për shtetasit dhe mallrat nga Maqedonia si dhe zvarritja e shënimit të vijës kufitare Maqedoni – Kosovë duhet të ndeshen me masa reciproke të qeverisë maqedonase. “Maqedonia nuk duhet të vihet në një pozitë nënshtruese”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të këtij koalicioni, Pavle Trajanov, duke shtuar se të gjitha çështjet midis Maqedonisë dhe Kosovës duhet të bisedohen me Unimkun dhe OKB-në.

Ndërkohë, partitë shqiptare në Maqedoni po ashtu e kundërshtojnë regjimin e vizave me Kosovën, megjithëse autoritetet e Unmikut kanë bërë me dije se nuk janë në pyetje vizat por vetëm një evidentim i personave që kalojnë kufirin për të mbajtur zonën kufitare më të qëndrueshme.

XS
SM
MD
LG