Lidhje

Artikulli i Newsweek-ut lidhur me shpërdorimin e Kuranit


Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar revistës Newsweek të ndihmojë për të ndrequr dëmin e shkaktuar ndaj imazhit të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit nga artikulli që fliste për përdhosjen e Kuranit nga rojet amerikane në burgun Guantanamo. Revista Newsweek e tërhoqi më pas artikullin e saj.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha sot se administrata e presidentit Bush e vlerëson vendimin e revistës për tërheqjen e artikullit, por shtoi se Newsweek duhet të shpjegojë tani përse artikulli përmbante gabime të tilla si dhe duhet të botojë një artikull ku theksohen politikat dhe praktikat e ushtrisë amerikane që kërkojnë që Kurani të trajtohet me respekt.

Në artikullin e 9 majit thuhet se hetuesit amerikanë në Gjirin e Guantanamos në Kubë, kishin hedhur në tualet një kopje të Kuranit, si përpjekje për t’i detyruar të dyshuarit për terrorizëm që të flisnin.

Njoftimi ngjalli protesta të dhunshme në disa vende myslimane, përfshirë Afganistanin, ku të paktën 17 vetë humbën jetën. Si Shtëpia e Bardhë ashtu edhe revista Newsweek kanë thënë se ekstremistët e shfrytëzuan artikullin për të nxitur dhunën.

Ministri pakistanez i informacionit, Sheikh Rashid Ahmed tha sot se artikulli kishte ofenduar myslimanët dhe ndjesa e tërheqja nuk janë të mjaftueshme.

XS
SM
MD
LG