Lidhje

Projekt-rezolutë e Kongresit amerikan për zgjedhjet në Shqipëri


Në një projekt-rezolutë të paraqitur sot në dy Dhomat e Kongresit amerikan, thuhet se Shtetet e Bashkuara i shohin zgjedhjet e korrikut në Shqipëri si një faktor qendror për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe se ato kanë rëndësi jetike për integrimin euroatlantik të vendit.

Në senat, projekt-rezoluta u paraqit nga Senatori Sam Brownback i shumicës republikane dhe Senatorja Hillary Clinton e pakicës demokrate, ndërsa në Dhomën e Përfaqësuesve, nga republikani Christopher Smith dhe demokrati Elliot Engel.

Dy senatorë dhe dy anëtarë të Dhomës Përfaqësuese të Kongresit paraqitën sot një projekt-rezolutë ku i kërkohet Shqipërisë që zgjedhjet e 3 korrikut të jenë të lira dhe të rregullta, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Projekt-rezoluta ishte një nismë e Senatorit Brownback, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ose Komisionit të Helsinkit. Në të vlerësohet miqësia e Shqipërisë dhe mbështetja e popullit shqiptar.

Në projekt-rezolutë vihet në dukje se zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri nga viti 1991 deri në vitin 2001 dhe ato lokale që janë mbajtur në atë periudhë dhe më pas, sipas OSBE-së dhe vëzhguesve të tjerë nuk i kanë plotësuar standardet e Dokumentit të Kopenhagës dhe kërkohet që si një nga 55 anëtaret e OSBE-së, Shqipëria duhet t’i zbatojë angazhimet konkrete për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Po ashtu në projekt-rezolutë thuhet se Qeveria e Shqipërisë e ka përmirësuar kuadrin zgjedhor dhe ligjor, si edhe aftësitë për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe korrekte dhe forcat politike kanë miratuar Kodin e Sjelljes, angazhim të cilin sipas projektit, Kongresi e mbështet. Po ashtu forcave politike dhe të gjithë zyrtarëve të zgjedhjeve në Shqipëri u kërkohet të zbatojnë ligjet e zgjedhjeve dhe t’i kryejnë veprimtaritë e tyre në mënyrë të paanshme dhe transparente, duke u dhënë mundësinë vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendas që të mund të ndjekin lirisht dhe pa pengesa procesin zgjedhor, përfshirë fushatën, kandidatët, shtypin, votimin dhe llogaritjen e rezultateve zgjedhore si dhe procesin e ankesave dhe kundërshtimeve.

Në projekt rezolutë thuhet se përmbushja e Standardeve të Kopenhagës për zgjedhje të lira dhe korrekte është absolutisht thelbësore për synimet e Shqipërisë për integrim në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përfshirë anëtarësimin në NATO, si edhe për përparimin e Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit zyrtar dhe krimit të organizuar. Kongresi e përshëndet mundësinë që ka Shqipëria për të shfaqur vullnetin dhe aftësinë për të ndërmarrë hapa të mëtejshme për integrimin evropian dhe euro-Atlantik, duke mbajtur zgjedhje në përputhje me standardet e OSBE-së. “Kongresi ka besim të plotë se qytetarët e Shqipërisë, ashtu si të gjithë popujt, duhet të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e vet në parlament dhe qeveri me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe t’i mbajnë ata përgjegjës kur zhvillohen votimet”, thuhet në projekt.

Po ashtu thuhet se Kongresi mbështet ndihmën e Shteteve të Bashkuara që Shqipëria të ketë një sistem demokratik plotësisht të lirë dhe të hapur, një ekonomi të tregut të lirë të begatë dhe për të siguruar vendin që i takon Shqipërisë në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përfshirë NATO-n. Në dokument inkurajohet Presidenti i vendit t’i transmetojë qeverisë së Shqipërisë, të gjitha partive politike dhe kandidatëve, si edhe popullit të Shqipërisë sesa rëndësi i kushton qeveria e Shteteve të Bashkuara këtyre zgjedhjeve parlamentare, si një faktor qendror në përcaktimin e të ardhmes së marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Në deklaratën që shoqëronte projekt-rezolutën, Senatori Brownback thotë se e ndërmorri nismën pas një bisede me Erion Veliajn të lëvizjes Mjaft, për të cilën thotë se ashtu si organizata të ngjashme me të në Serbi, Ukrainë, Gjeorgji dhe vende të tjera në botë përpiqet të aktivizojë qytetarët që ta bëjnë qeverinë të punojë për ta dhe të përmirësojnë jetën e tyre. “Zyrtarët e korruptuar dhe regjimet jodemokratike i shqetëson një aktivizëm i tillë i të rinjve të cilët kërkojnë një të ardhme më të ndritur në vendin e tyre. Këta aktivistë përpiqen t’i japin demokracisë përmbajtje thelbësore, aty ku autoritetet kërkojnë që thjesht t’i japin asaj formën më të thjeshtë. Shqipëria është një mike e ngushte e Shteteve të Bashkuara, ndoshta ndër miket më të ngushta që kemi sot në Evropë. Kjo miqësi, do të shtoja, i kapërcen marrëdhëniet zyrtare mes dy qeverive. Ajo është një miqësi që mbështetet tek popujt”.

Senatori Brownback duke folur për problemet me zgjedhjet ghjatë 15 viteve të fundit, shprehet se disa prej tyre kanë qenë aq difektoze, saqë legjitimiteti i rezultateve të tyre është vënë seriozisht në pikëpyetje. Ai thotë se me përmirësimet që janë bërë, tani ekziston një bazë reale që zgujedhjet e 3 korrikut të plotësojnë standardet ndërkombëtare. “Aktualisht zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të drejta ka rëndësi të veçantë. Vendet e tjera të Evropës Juglindore, po i lënë pas trashëgiminë e komunizmit, dhe nacionalizmin ekstrem, si edhe konfkliktet që penguan tranizcionet e tyre demokratike në vitet 1990. Disa vende janë anëtarësuar, ose janë gati për t’u anëtarësuar në NATO, apo në Bashkimin Evropian. Shqipëria nuk mund t’ia lejojë vetes që të mbetet prapa”, thotë senatori.

Zgjedhjet e rregullta do të ishin në të mirë të marrëdhënieve dypalëshe dhe perspektivës së Shqipërisë për integrim. Bashkëkryetari i Komisionit të Helsinkit, Chris Smith shkruan në deklaratën e tij se përmbushja e standardeve të OSBE-së është një domosdoshmëri jetike. “Përmbushja e këtyre standardeve është e nevojshme jo vetëm sepse Shqipëria është e angazhuar ndaj tyre, por edhe sepse dështimi do t’i kushtonte vendit shtrenjtë përsa i takon integrimit në NATO dhe BE. Megjithëse mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë ekzistojnë lidhje të forta, do të ishte gabim që të tolerohej mosrespektimi i angazhimeve të OSBEsë nga Shqipëria. Pikërisht dëshira që Shqipëria të jetë e sukseshme, tha ligjvënësi Smith, na shtyn ne të bëjmë të qartë se ç’presim nga këto zgjedhje. Nuk ka dyshim se suksesi në zgjedhje do t’i forconte lidhjete Shqipërisë me SHBA-në dhe Evropën dhe ajo që është më e rëndësishme, është që mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve që populli i Shqipërisë e meriton.

XS
SM
MD
LG