Lidhje

Strategjia e Uashingtonit për procesin e statusit përfundimtar të Kosovës


Nënsekretari amerikan i shtetit për çështje politike, Nicholas Burns i tha sot një komisioni të Kongresit se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre kanë përcaktuar disa parime mbi të cilat duhet të bazohet zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës por pa paragjykuar se cili do të jetë ai. Zoti Burns paraqiti sot strategjine për procesin e zgjidhjes së këtij statusi:

Në deklaratën e tij zoti Burns thotë se Kosova është ndoshta çështja më e vështirë që ka mbetur e pazgjidhur në Ballkan. Shtetet e Bashkuara, tha ai, besojnë, ashtu si edhe vetë palët e interesuara, se statukuoja e tanishme e statusit të pazgjidhur të Kosovës as mund të vazhdojë më dhe as është e dëshirueshme sepse le të hapur mundësinë e përsëritjes së dhunës.

Zoti Burns tha se Presidenti Bush dhe Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs e caktuan si një ndër përparësitë kryesore rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në përpjekjet ndërkombëtare për të stabilizuar Ballkanin, për t’u siguruar se konfliktet e viteve 90 nuk do të përsëriten si dhe për të sjellë autorët e këtyre akteve para drejtësisë.

"Ne duhet të përfundojmë punën për sheshimin e konflikteve që nuk i ka lejuar vendet e Ballkanit të shënojnë përparim politik dhe ekonomik ashtu si fqinjët e tyre. Ne dhe aleatët po hyjmë në një fazë të re në politikën tonë ndaj Ballkanit, një fazë që synon të përshpejtojë integrimin e këtij rajoni në familjen evropiane dhe institucionet euro-atlantike. Sekretarja Rajs, tha zoti Burns, më ka kërkuar të shkoj në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë si dhe në Bosnjë në fillim të muajit të ardhshëm për të ritheksuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të rajonit si dhe për të nxitur udhëheqësit vendorë të bëjnë përparim më të madh në në çështjet e pazgjidhura," tha nënsekretari amerikan i shtetit.

Për të arritur sukses në përpjekjet në Ballkan, Shtetet e Bashkuara, vazhdoi zoti Bërns duhet të punojmë energjikisht për të ndihmuar popullin e Kosovës për forcimin e sigurisë, pajtimin ndëretnik dhe paqe në vitin 2005. Nëse nuk merret në shqyrtim çështja e statusit në periudhën afat-shkurtër, ka rrezik të humbasim shumë nga arritjet që janë shënuar në Ballkan gjatë 10 viteve të fundit.

Zoti Burns tha se nuk do të jetë e lehtë të arrihet një marrëveshje lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës. Beogradi ka paraqitur pozitën e tij ku kërkon që Kosovës t’i njihet më shumë se autonomia, por më pak se pavarësia. Popullsia shqiptare e Kosovës këmbëngul për pavarësi të menjëhershme dhe pa kushte. Gjetja e një kompromisi ndërmjet këtyre qëndrimeve do të jetë një sfidë e vështirë.

Zoti Burns vazhdoi më tutje se Grupi i Kontaktit ka dhënë pëlqimin e njëzëshëm që vlerësimi i standardeve të bëhet këtë verë dhe ka shprehur mbështetjen që vlerësimi të bëhet nga zoti Kai Eide. Ky vlerësim, tha ai, do të shqyrtojë jo vetëm plotësimin teknik të standardeve por edhe çështjet më të mëdha politike. Vlerësimi, tha zoti Burns, do të kërkojë 6-8 javë dhe pastaj do të duhen disa javë të tjera për të hartuar raportin , i cili shpresohet se do të jetë përfunduar nga fundi i kësaj vere. Shpresohet, tha zoti Burns, që Grupi i Kontaktit dhe Kombet e Bashkuara të takohen këtë vjeshtë për të shqyrtuar rezultatet e vlerësimit të standardeve dhe për të vendosur nëse do të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar. Nëse rezultati është sa duhet pozitiv, Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë një fillim të shpejtë të bisedimeve për statusin.

Zoti Burns tha se Shtetet e Bashkuara mendojnë se procesi duhet të udhëhiqet nga një figurë e lartë politike evropiane, e emëruar nga OKB-ja në konsultim me Grupin e Kontaktit. Shtetet e Bashkuara, tha ai, do të ofrojnë një diplomat të lartë amerikan si zëvendës të tij dhe sekretarja e shtetit Rice po shqyrton kandidaturat e mundëshme për këtë post.

Nënsekretari i shtetit Burns tha se për të ruajtur rolin e Shteteve të Bashkuara si lehtësues të zgjidhjes, ato dhe partnerët e tyre nuk paragjykojnë se cili do të jetë rezultati i bisedimeve për statusin, por siç tha edhe ju, kanë përcaktuar disa nga parimet bazë mbi të cilat duhet të gjendet zgjidhja. Ai tha se në këtë aspekt është përjashtuar një kthim në situatën përpara marsit 1999. -Ndër këto parime, tha zoti Burns, është se ky status përfundimtar duhet të bazohet mbi multi-etnicitetin, duke respektuar plotësisht të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtën e kthimit të të gjithë të zhvendosurve. -Se ky statutus duhet të japë garanci kushtetuese për mbrojtjen e pakicave. -Ai duhet të përfshijë masa konkrete për mbrojtjen e trashëgimisë historike dhe kulturore dhe të përmbajë mekanizmat e duhur për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Zoti Burns tha gjithashtu se veç kësaj, Grupi i Kontaktit u ka deklaruar palëve se statusi i Kosovës nuk duhet të vendoset nga asnjëra prej palëve në mënyrë të njëanshme dhe as të rezultojë nga përdorimi i forcës. Ai shtoi se kufijtë e tanishëm të Kosovës nuk do të ndryshohen, as përmes ndarjes territoriale e as përmes një bashkimi të ri të Kosovës me ndonjë vend tjetër pas zgjidhjes së statusit. Gjithashtu tha ai, duhet të garantohet se Kosova do të vazhdojë të zhvillohet në mënyrë të pandërprerë si nga pikpamja politike ashtu edhe ekonomikisht.

Zoti Burns tha se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre presin që prania ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë do të vazhdojë edhe pas zgjidhjes së statusit për të garantuar zbatimit e tij të plotë si dhe për të vëzhguar gjendjen e pakicave.

Roli i Beogradit në këtë proces, theksoi nënskretari amerikan i shtetit, duhet të jetë angazhimi i vazhdueshëm dhe konstruktiv. Çdo vonesë e panevojshme ose pengesë do të na bënte të rishikonim rolin e Beogradit. "Ne, tha zoti Bërns, i bëjmë thirje Beogradit të mbështesë serbët e Kosovës për t’u kthyer në Parlament dhe për të rifilluar pjesëmarrjen e tyre në institucionet dhe jetën politike në Kosovë, duhe i dhënë fund izolimit të imponuar nga Beogradi". Cilido qoftë statusi përfundimtar i Kosovës, Beogradit do t’i duhet të pranojë ndryshime krahasuar me situatën para vitit 1999. Procesi për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës u jep mundësi Shteteve të Bashkuara të ndihmojnë Serbinë të kthehet në gjirin e Evropës ku i takon të jetë, tha nënsekretari amerikan i shtetit Nik Bërns.

XS
SM
MD
LG