Lidhje

Carla del Ponte: Karaxhiç, Mlladiç dhe Gotovina duhen të nxirren para drejtësisë në Hagë


Prokurorja e Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish Jugosllavi, Carla del Ponte tha se 3 kriminelët, që mbajnë përgjegjësinë kryesore për gjenocidin duhen të nxirren para drejtësisë në Hagë sa më parë. Prokurorja del Ponte foli në Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë.

Prokurorja Carla del Ponte tha se është skandaloze që ish presidenti i sërbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç, ish udhëheqësi i ushtrisë sërbe Ratko Mlladiç, dhe ish gjenerali kroat, Ante Gotovina vazhdojnë t’u shpëtojnë forcave të rendit.

Prokurorja fajësoi autoritetet në ish republikat jugosllave se nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për të kapur të akuzuarit. Ajo u tha gazetarëve se Radovan Karaxhiç ndodhej diku midis Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi, Ratko Mlladiçi ndodhet në Sërbi dhe Ante Gotovina diku midis Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Por zonja del Ponte tha se parashikon ta shikojë Gotovinën në Hagë shumë shpejt.

“Rrjeti mbështetës në Kroaci është shumë, shumë i fortë për sa i përket fshehjes dhe mbrojtjes së Gotovinës. Pra në se kryeministri është i gatshëm, ashtu siç duket se synon të shkatërrojë këtë rrjet, ne do të jemi në gjendje shumë shpejt ta gjejmë Gotovinën.”

Prokurorja del Ponde tha se personat që mbajnë përgjegjësinë kryesore për gjenocidin në Srebrenicë para 10 vjetësh duhet të nxirren para drejtësisë.

“Për mendimin tim, është e pamundur që komuniteti ndërkombëtar të jetë i pranishëm në ceremonitë përkujtimore me rastin e 10 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, në qoftë se Karaxhiçi dhe Mlladiçi nuk arrestohen dhe dorëzohen në Hagë. Unë për vetem time nuk do të marr pjesë.”

Në vitin 1995, gati 8 mijë burra dhe djem boshnjakë u ekzekutuan, pas rënies së Srebrenicës në duart e forcave sërbe.

XS
SM
MD
LG