Lidhje

Arabia Saudite dënon tre disidentë për moszbatimin e ligjeve të vendit dhe mosbindje ndaj sunduesve


Më 15 maj, një gjykatë në Arabinë Saudite shpalli fajtorë tre disidentë për moszbatimin e ligjeve të vendit dhe mosbindje ndaj sunduesve të Arabisë Saudite. Ali al-Dimeeni u dënua me 9 vjet, Abdullah al Hamed me 7 vjet, dhe Matrouk al Faleh me 6 vjet burg.

Tre burrat janë midis 13 personave të arrestuar në disa qytete saudite që nga viti 2004. Ata kishin qarkulluar një peticion ku bënin thirrje për një monarki kushtetuese dhe një parlament të zgjedhur dhe sinjalizonin qëllimin e tyre për formimin e një organizate të pavarur të të drejtave të njeriut.

Qeveria saudite liroi 10 të ndaluar pasi i detyroi ata të nënshkruanin një marrëveshje që hidhnin poshtë peticionin. Sipas organizatës Human Rights Watch, Ali al-Dimeeni, Abdullah al-Hamed dhe Matrouk al-Faleh refuzuan të nënshkruanin marrëveshjen dhe u mbajtën në burg.

Grupet e të drejtave të njeriut i dënuan vendimet e gjykatës ndaj tre disidentëve sauditë. Ibrahim al Mugaiteeb drejton një grup të pavarur saudit për të drejtat e njeriut. Ai tha se dënimi ishte shumë i lartë dhe i padrejtë. Ai është i palogjikshëm, tha zoti al-Mugaiteeb. Kjo është një farsë, tha ai. Leah Whintson është drejtoreshë ekzekutive e organizatës Human Rights Watch për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Ajo e quan dënimin brutal dhe thotë se autoritetet saudite po dhunojnë të drejtën e fjalës.

“Megjithëse flitet për reforma demokratike, tha ajo, qeveria saudite po vendos dënime afatgjata burgimi mbi ata që bëjnë thirrje për ndryshime të paqësore politike”. Në raportin e fundit të Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut thuhet se gjendja e të drejtave të njeriut vazhdon të jetë e dobët përgjithësisht me probleme serioze, megjithëse janë bërë disa përparime”.

Arabia Saudite është një monarki pa institucione përfaqësuese të zgjedhura apo parti politike dhe qytetarët sauditë nuk kanë të drejtë të ndryshojnë qeverinë. Zgjedhjet bashkiake në këtë vend kohët e fundit, ishin të parat në më shumë se tre dekada. Megjithë hapat përpara, gratë nuk lejohen të marrin pjesë në to dhe partitë politike janë të jashtëligjshme në Arabinë Saudite.

Presidenti George W. Bush ka thënë se të drejtat sigurohen nga shprehja e lirë e mendimit dhe pjesmarrja në qeverisje. Shtetet e Bashkuara tha ai, do të inkurajojnë reforma në qeveri të tjera duke bërë të qartë se suksesi në marrëdhëniet tona do të kërkojë trajtim të drejtë të njerëzve nga këto vende.

Në vështrimin afatgjatë, tha presidenti Bush nuk ka drejtësi pa liri, dhe nuk mund të ketë të drejta të njeriut pa liri njerëzore.

XS
SM
MD
LG