Lidhje

Botohen në shtyp fotografi të Saddam Husseinit në burg


Presidenti Bush tha se nuk beson që botimi sot i fotografive të Saddam Husseinit në qelinë e tij të burgut do të shtojë ndjenjat anti-amerikane në Irak.

I pyetur nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, zoti Bush tha se vetëm një fotografi nuk i nxit vrasësit. Ai tha se kryengritësit janë të motivuar nga një vizion botëror, që siç u shpreh ai, është "i prapambetur dhe barbar" dhe nga një dëshirë për të penguar lirinë në Irak.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti u informua më herët nga këshilltarët e tij të lartë rreth incidentit dhe mbështeti fuqimisht atë që ajo e përshkroi si "hetim agresiv dhe të hollësishëm që po kryhet" për këtë çështje.

Ndërkaq, ushtria amerikane kritikoi ashpër botimin e fotografive të paautorizuara që tregojnë Saddam Husseinin në qelinë e burgut në Irak. Ushtria thotë se fotografitë u morrën në shkelje të hapur me diraktivat e Departamentit të Mbrojtjes dhe ndoshta përbëjnë shkelje të klauzolave të Konventës së Gjenevës për trajtimin e të burgosurve. Zyrtarët ushtarakë amerikanë janë zotuar se do të hetojnë imtësisht burimin e fotografive, për të cilat thonë se duket të jenë bërë rreth një vit më parë.

Gazeta Sun e Britanisë së Madhe, e para që i botoi fotografitë, thotë se i ka marrë ato nga burime amerikane të ushtrisë, që donin të demoralizonin kryengritësit në Irak. Fotografitë, disa prej të cilave tregojnë Saddamin me veshjet e brendëshme, janë botuar në faqe të parë të gazetave Sun në Londër dhe New York Post dhe janë paraqitur nga stacionet televizive në mbarë botën.

Saddami pritet të gjykohet këtë vit nën akuzat për gjenocid, tortura dhe krime kundër njerëzimit, akuza që mund të rezultojnë në dënimin e tij me vdekje, në se gjehet fajtor.

XS
SM
MD
LG