Lidhje

Boston: vdes afaristi i sukseshëm shqiptar, Anthony Athanas


Të premten vdiq në Boston një nga njerëzit më të shquar të komunitetit shqiptar të Amerikës, Anthony Athanas. Ai ishte një nga bisnemenët më të famshëm të Bostonit, por në komunitetin shqiptar të Amerikës do të mbahet mend më shumë si patriot i shquar që punoi pa u lodhur për të ndihmuar bashkëkombësit e tij në Shqipëri edhe në Kosovë.

Anthony Athanas ishte një figurë qendrore në organizatën panshqiptare Vatra dhe bashkëthemelues i organizatave të tjera shqiptaro-amerikane.

Anthony Athanas vdiq të premten në shtëpinë e tij në Swampscott pas një beteje tre-vjeçare me sëmundjen e alcajmerit. Antoni Athanas ishte themeluesi i një prej restoranteve më me emër të Amerikës – Anthony’s Pier Four.

Kryetari i Bashkisë së Bostonit e quajti atë një traditë në vetvete, pasi ky restorant u kthye në një mikpritës të mijra takimeve politike dhe ishte shumë bujar në mbështetjen për komunitetin.

Senatori John Kerry u shpreh se Anthony Athanas jetoi ëndrrën amerikane dhe për asnjë minutë nuk harroi se nga kishte ardhur. Me një prejardhje të thjeshtë nga Shqipëria, Antoni mundi të realizojë ëndrrën e çdo imigranti duke punuar dhe arritur të bëhet një institucion kombëtar, tha senatori Kerry.

I lindur në Shqipëri më 28 korrik 1911, Athanasi imigroi me familjen e tij në New Bedford në vitin 1915. Në fillim ai shiste fruta dhe zarzavate, shiste gazeta dhe ndizte zjarrin e furrave në kuzhinat e restoranteve. Në vitin 1937 hapi restorantin e tij të parë dhe vazhdoi pastaj me restorante të tjerë, më i famshmi i të cilëve u bë Anthony’s Pier Four.

Anthony Athanas do të mbahet mend sidomos për ndihmën bujare që i dha komunitetit shqiptar të Amerikës dhe kontributin për bashkatdhetarët e tij në Shqipëri dhe në Kosovë. //az//

XS
SM
MD
LG