Lidhje

Antoni Athanas – shqiptari dhe amerikani i famshëm


Të premten vdiq në Boston një nga njerëzit më të shquar të komunitetit shqiptar të Amerikës, Anthony Athanas. Ai ishte një nga bisnemenët më të famshëm të Bostonit por në komunitetin shqiptar të Amerikës do të mbahet mend më shumë si patriot i shquar që punoi pa u lodhur për të ndihmuar bashkëkombësit e tij si në Shqipëri edhe në Kosovë. Anthony Athanas ishte një figurë qendrore në organizatën panshqiptare Vatra. Zëri i Amerikës intervistoi kryetarin e Vatrës, Agim Karagjozi.

Zëri i Amerikës: Zoti Karagjozi, ju si kryetar i Vatrës, si e keni njohur zotin Athanas, ç’mund të na tregoni për njohjet tuaja të hershme me të?

Agim Karagjozi: Antoni Athanasin e kam njohur shumë herët, qysh në vitet e para që kam ardhur në Amerikë, në fillimin e viteve 60. Antoni Athanasi në atë kohë ishte "the rising star" – ylli që po shkëlqente në Vatër. Ai ishte shumë i afërt me Kristo Athanasin, i cili në atë kohë konsiderohej si "Babai i Vatrës". Por në skenë doli Antoni Athanasi, njeriu i ri, njeriu i dinamizmit, që solli një gjallëri të re në Vatër, shumë i përkushtuar, me mbështetje të jashtëzakonshme financiare dhe me veprimtari dhe me punë. Ishte ai që ngjalli shpresa të reja për Vatrën dhe sigurisht ishte puna që bëri në ato vite Antoni që Vatra është e gjallë sot.

Zëri i Amerikës: Antoni Athanasi ishte njeri shumë i zënë me biznesin e tij. Si arrinte ai të kontribuonte edhe me veprimtaritë për Vatrën?

Agim Karagjozi: Antoni Athanasi kishte ndjenja shumë të thella shqiptare. Ai i kishte marrë ndjenjat në radhë të parë nga familja e tij. Ai ka ardhur në Amerikë në moshën tre-vjeçare. Kishte një familje shumë atdhetare – i ati i tij ishte atdhetar. Pastaj, pasi u rrit, u njoh me Nolin dhe me Konicën dhe i admironte të dy ata, por sidomos Nolin. Antoni Athanasi ishte një dishepull i Nolit dhe u frymëzua shumë thellë nga veprimtaria, puna, kultura dhe idealizmi i Nolit. Athanasi i përkiste një familjeje që u përzu nga grekët në vitin 1913 kur u bënë masakrat, pra ishte një familje e vuajtur dhe kjo e shtynte të përpiqej për t’i shpëtuar shqiptarët nga rreziqet e fqinjëve. Ai kishte një krenari dhe ndjenja të thella shqiptare prandaj e gjente kohën, sado i zënë që ishte. Kishte edhe kapacitetin financiar dhe moral që t’i kushtohej Vatrës, e ndjente këtë si detyrë. Antoni Athanasi ishte trashëgimtari i Nolit në Vatër, ishte ai që i siguroi jetën Vatrës për shumë dekada. Ai ishte edhe një amerikan i shquar, gëzonte një reputacion shumë të madh në Amerikë, ishte ndoshta njeriu më i suksesshëm në biznesin e restoranteve. Ishte një filantropist i pakursyer që ndihmonte në shumë anë. Kështu, ai në Boston është një nga figurat më të nderuara dhe njihet në të gjithë Amerikën si një figurë e shquar. Restoranti i tij Pier 4 është një nga restorantet më të mirë ku vijnë njerëz nga të gjitha anët e Amerikës. Antoni Athanasi është bërë një legjendë në Amerikë. Ka qenë shumë i aftë dhe shumë dinamik, njeri që nuk harxhonte kohën kot me fjalime të gjata. Edhe në mbledhjet që bënim ne kur bisedoheshin çështjet e ndryshme – ju e dini si e kanë zakon shqiptarët që i zgjasin bisedat – ai i binte shkurt dhe hynte drejt në temë. Ishte tamam njeriu me vetitë e individit të suksesshëm, kishte veti natyrore dhe ishte njeri i rrallë.

Zëri i Amerikës: Sot në Shtetet e Bashkuara vijnë shumë emigrantë të cilët ëndërrojnë të bëhen të njohur, të krijojnë bizneset e tyre dhe të pasurohen. Çfarë mund të mësojnë ata nga Antoni Athanasi?

Agim Karagjozi: Ata mund të mësojnë këtë gjë, që me talent dhe me përkushtim dhe me punë të pakursyer mund të arrihet çdo gjë. Antoni ishte për t’u habitur. Ja se ç’tregonte ai në një rast: kur arriti të ketë restorantin e tij të parë, një restorant fare i vogël, ai punonte aty fare i vetëm. Rrinte te banaku dhe thërriste me zë të lartë, gjoja sikur po i jepte porosinë gjellbërësit. Në fakt, ai nuk kishte gjellbërës, por pasi thërriste porosinë, vraponte vetë në kuzhinë që të përgatiste gjellën për t’ua sjellë mushterinjve. Ishte njeri me kapacitet, me talent, punëtor, i zgjuar, i gjallë, i zoti dhe nuk e harxhonte kohën kot. Si rrjedhojë e kësaj, erdhi koha kur ai arriti të ketë në Boston katër restorante. Ai ndërtoi restorantin Pier-4 në Boston, i cili është gati si një monument në Amerikë, një vend pelegrinazhi ku shkojnë njerëz nga të gjitha anët e Amerikës për të ngrënë një drekë a një darkë. Njerëzit shkonin atje edhe thjesht për dëshirën që kishin për të takuar Antoni Athanasin, sepse ai rrinte në restorant ditë e natë, nga ora 6 e mëngjesit e deri në mbrëmje kur mbyllej. Ai rrinte atje për të pritur e përcjellë vetë mysafirët. Njerëzit kishin një ndjenjë krenarie dhe kënaqësie që të takonin Antoni Athanasin. Nuk ka personalitet amerikan që të mos ketë qenë në restorantin e tij, qoftë personalitete politike apo të artit, njerëz të Hollivudit e të tjerë. Në restorant do të gjesh të gjitha fotografitë e këtyre njerëzve të shquar. //az//

XS
SM
MD
LG