Lidhje

Bankat e vendeve ballkanike punojnë për integrimin rajonal të tyre


Banka Qendrore e Shqipërisë u bëri thirrje bankave të nivelit të dytë që të punojnë për një shtrirje më të madhe gjeografike dhe mbulim më të mirë të territorit me shërbime bankare.

Drejtues të lartë të Bankës Qendrore kërkuan që sistemi i bankave private të shkojë më afër klientëve pasi në Shqipëri ekzistojnë shumë zona që duken si të paaktivizuara, por që në të vërtetë vlerësohet se fshehin potenciale të mëdha financiare në formën e kursimeve të thesarizuara. Këto komente Guvernatori i Bankës Qendrore, Ardian Fullani, i bëri në Forumin Ndërballkanik të Shoqatave të Bankierëve. Ai kërkoi që sistemi bankar të zbatojë më mirë direktivat e Bashkimit Europian me qëllim që çdo investim dhe hap i hedhur t’i shërbejë integrimit të ardhshëm të vendit në Europë.

Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të mbikëqyrjes bankare me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe është në proces negociatash për këtë marrëveshje me Bosnje-Hercegovinën dhe Serbinë. Ky proces i bashkëpunimt rajonal vlerësohet se ndihmon dukshëm integrimin e rajonit me pjesën tjetër të Europës.

Sistemi bankar shqiptar pritet ta cojë në 17 numrin e bankave private gjatë vitit 2005, dhe ndërkohë që një bankë e re ka aplikuar për licensë, janë duke u shitur edhe aksionet shtetërore në Bankën Italo-Shqiptare dhe në Bankën e Bashkuar. Kjo pritet ta rritë më tej konkurrencën në sistemin bankar, i cili bashkë me konsolidimin e tij, është duke rritur gradualisht masën e kredive në afate të ndryshme. Shqipëria ka aktualisht 88 zyra bankare në të gjithë territorin dhe pothuaj të gjitha bankat kanë njoftuar për hapje të degëve të reja.

XS
SM
MD
LG