Lidhje

Kanë: Dy vëllezër belgë, Jean-Pierre dhe Luc Dardene, fitojnë Palmën e Artë


Dy vëllezërit belgë, Jean-Pierre dhe Luc Dardene, morën të shtunën Palmën e Artë, çmimi më i lartë i Festivalit të Kanës, për filmin e tyre "Fëmija," i cili ka në qendër të subjektit një 20-vjeçar të angazhuar në veprimtari të paligjshme, i cili ndeshet me përgjegjësitë që sjell lindja e një fëmije.

Është e dyta herë që këta dy kineastë fitojnë Palmën e Artë. Suksesi i tyre i parë u shënua 6 vjet më parë me dramën Roseta.

Fituesve, çmimi iu dotrëzua nga aktorët Hillary Swank dhe Morgan Freeman, të cilët fituan Oskar për lojën e tyre në filmin Million Dollar Baby.

Në vend të dytë këtë radhë në Kanë renditej regjisori amerikan, Jim Jarmush, për dramën Broken Flowers, ku luan aktori Bill Murray në rolin e një Don Zhuani të moshuar i cili përpiqet të takojë të birin që s’e ka njohur kurrë.

Kritikët pohojnë se kandidaturat e paraqitura këtë vit në Festivalin e Kanës përfshinin një numër konkurentësh të fortë, por asgjë unike, apo të jashtëzakonshme. Festivali përfundoi të djelën me shfaqjen e filmave fitues. //az//

XS
SM
MD
LG