Lidhje

Roli i grave në ushtrinë amerikane


Dhoma e Përfaqësuesve po shqyrton një ligj, i cili nuk i lejon gratë në ushtri të shërbejnë në fushën e betejës. Debati përqëndrohet në një çështje të debatueshme të shoqërisë amerikane, cili duhet të jetë roli i grave në ushtri. Ky ligj diskutohet ndërsa një numër grash në radhët e ushtrisë amerikane dhe marinsave në Irak po përfshihen përherë e më tepër në luftime, në një luftë, ku nuk është i qartë fronti i betejës.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, thotë se ushtria po punon me komandantët e saj, që ata të ngrenë shqetësimet lidhur me gratë që marrin pjesë në luftime. Por ai thekson se gjendja aktuale është e pazakontë.

“Kemi të bëjmë me një fushë beteje jo simetrike, kështuqë nuk është e përcaktuar qartë se ku zhvillohet beteja.”

Si ushtria amerikane, edhe marinsat, zakonisht që nga fillimi i luftës në Irak u kanë dhënë grave role jo të vijës së frontit në betejë. Aktualisht, ka 20 mijë gra ushtare që shërbejnë në Irak.

Duke u përballur me një kryengritje të paparashikueshme në shumicën e rasteve, gratë janë përfshirë në luftime. Me dhjetra gra janë vrarë dhe me qindra janë plagosur. Gjeneral-lejtnanti John Vines është komandant i trupave shumëkombëshe në Irak.

“Këtu nuk ka fronte të para, forcat tona duhet të jenë të gatshme të luftojnë në çdo kohë, gjithësecili, qoftë marinar, ushtar, apo marins”.

Roli i grave në ushtrinë amerikane nuk është vetëm një çështje e debatueshme, vetëm kur është fjala për vijën e frontit të luftës, apo në Washington. Kjo çështje diskutohet edhe në Akademinë Ushtarake Amerikane të West Point-it, ku studentët Chelsi Havialand dhe Jesse Sladek kanë mendime të ndryshme për këtë çështje. Chelsi, për shembull, çuditet përse ajo stërvitet në West Point, në se ajo nuk do të jetë në gjendje t’i praktikojë ato që ka mësuar në shkollë.

“Për mua Zoti i ka krijuar të gjithë njerëzit njëlloj, pavarësisht nga gjinia e tyre. Në se je femër dhe zgjedh të shkosh në ushtri, në këtë rast zgjedh rrugën e rreziqeve. Përse duhen ndarë gratë nga burrat në këtë rast?”

Por Jessi shoku e saj e klasës, mendon se gratë janë po aq të afta sa edhe burrat, por ai nuk është i sigurtë në se ato duhet të marrin pjesë në luftime.

“Unë do të isha më i shqetësuar në se do ta shihja Chelsin, apo ndonjë tjetër grua në mes të një shpërthimi, apo të plagosej, se sa një burrë ushtar. Dhe mendoj se kjo nuk ndodh vetëm me mua. Burrat në përgjithësi janë më të ndjeshëm kur plagoset një grua, se sa kur plagoset një burrë; dhe mendoj se për shkak të kësaj, misionet bëhen më të vështira për t’u përmbushur”.

“Mendoj se ekziston një armiqësi e madhe përsa i përket ndarjes gjinore, në ushtri, thotë Chelsi. Një numër i madh burrash, vazhdojnë të kenë konceptin se gratë nuk janë të afta. Prandaj, në momentin kur i kufizon gratë të mos shkojnë në frontin e parë të luftimeve, kjo e shton edhe më tepër diferencën mes burrave dhe grave”.

“E vërteta është se Chelsi ka të drejtë, thotë Jasse. Nuk duhet të ketë kufizim. Por një tjetër e vërtetë, është se burrat reagojnë ndryshe ndaj grave. Dhe po ta shohësh më gjerë, ekziston mundësia që jeta e një numri më të madh njerëzish vihet në rrezik, në se edhe gratë vihen në frontin e parë të luftës."

Siç tregojnë oficerët e ardhshëm Chelsea dhe Jesse, ka shumë mendime mbi rolin e grave në ushtri. Në fakt, një anketim i kohëve të fundit tregon se 45 për qind e amerikanëve mbështesin idenë që gratë të marrin pjesë në luftime, në se kërkohet.

Rreth 16 për qind e të anketuarve thanë se gratë duhet të mos lejohen të marrin pjesë në luftime, por ky debat do të vazhdojë edhe më tej.

XS
SM
MD
LG