Lidhje

Gjendja e materialeve berthamore në Rusi


Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, një nga shqetësimet më të mëdha që kanë ngritur analistët është rreziku i një sulmi me mjete primitive bërthamore, por që mund të shkaktojë dhjetra mijëra viktima. Një nga vendet më të përfolura që terroristët mund të shfrytëzojnë për të vjedhur matriale bërthamore është Rusia. Në vazhdim do t’i hedhim një vështrim gjendjes së materialeve bërthamore në Rusi.

Reaktori bërthamor në Institutin Kurchatov në veriperëndim të Moskës ishte dikur krenaria e Bashkimit Sovjetik. Kur u hap në vitin 1943, ai quhej thjesht “Laboratori Numër 2” dhe kishte një synim: krijimin e bombës bërthamore. Sot ai është një prej 11 reaktorëve bërthamorë që mendohet se funksionojnë në Moskë. Robert Berls i nismës për pakësimin e rrezikut bërhtamor thotë:

“Ky është një institut ku Departamenti amerikan i Energjisë filloi të ndihmonte për shtimin e masave të sigurisë. Por ky është një objekt relativisht i hapur dhe një grup terrorist do të mund të futej me lehtësi në të në se përpiqej seriozisht.”

Në përpjekje për të zbutur shqetësimet, rusët kanë filluar të bëjnë publike masat shtesë të sigurisë në këtë laborator. Vetë laboratori ka prodhuar edhe një video kasetë për këtë qëllim.

“Ky është sinjali i alarmit, për fat të mirë sot kjo është vetëm një provë, por kurrë nuk i dihet.”

Por ajo që dihet është se terroristët e kanë studiuar mirë mundësinë e një sulmi kundër Institutit Kurchatov.

Në tetor të vitit 2002, trupat ruse sulmuan Teatrin Dubrovka në qendër të Moskës. Për 3 ditë 900 spektatorë dhe artistët e teatrit, po mbaheshin peng në ndërtesë. Forcat ruse përdorën një gaz nervor ende të paidentifikuar për t’i dhënë fund krizës.

Gjatë sulmit u vranë rrëmbyesit çeçenë, por bashkë me ta edhe 129 pengje. Dhe ndërsa ky operacion ushtarak po jepej drejtëpërdrejt në televizionin rus, në Institutin Kurchatov, në qetësi po merreshin masa urgjente, sipas analistit rus Pavel Felgenhauer.

“Një person që e njoh mirë dhe që punon në Kurchatov, u thirr me urgjencë në punë, ndërsa vazhdonte kriza në teatër, për të mbyllur reaktorin më të madh.”

Por ja se çfarë thotë analisti Aleksandër Pikajev.

“Ne kemi qënë me fat, pasi që pas vitit 1990, gjendja ka qënë aq e keqe, sa është vërtet për t’u habitur që nuk ka ndodhur diçka serioze me reaktorët bërthamorë.”

Si qeveria amerikane edhe ajo ruse kanë folur shumë për çaktivizimin e arsenaleve bërthamore. Raketat janë çmontuar, materiali shpërthyes bërthamor është hequr prej mbushjeve dhe pjesët metalike janë shkrirë në fonderi. Vetëm vitin e kaluar si rezultat i një nisme të senatorëve amerikanë Nun dhe Lugar, në Rusi janë çaktivizuar 312 mbushje bërthanore. Por ha se si pergjigjet analisti rus Pavel Felgenhauer.

“Çaktivizimi i tyre do të thotë që ato janë çmontuar. Por materialet bërthamore nuk janë zhdukur. Ato thjesht janë dërguar diku për t’u ruajtur. Por ka mundësi që ato të ruhen në vende më pak të sigurta se kur shërbenin si mbushje bërthamore.”

Dhe marrëdhëniet ruso-amerikane, të dominura nga shqetësimet rreth hapave pas në demokraci të Presidentit Putin, kanë qënë të tensionuara përsa u përket armëve bërthamore.

Rusët nuk lejojnë inspektorë amerikanë në disa prej objektet e tyre sekrete, në përgjigje, siç shprehen ata, të kundërshtimit të Uashingtonit për të bashkëpunuar me inspektorët rusë në Amerikë.

Kohët e fundit Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs bisedoi me Presidentin Putin mbi çështjet bërthanore. Gjatë një interviste për një radiostacion në Rusi ajo u pyet në se Shtetet e Bashkuara po cënojnë sovranitetin e këtij vendi duke kërkuar të hyjnë në objektet bërthamore.

“Ne nuk i konsiderojmë inspektimet si çështje sovraniteti. Kjo ka të bëjë me bashkëpunimin, pasi ne të gjithë jemi të shqetësuar për atë që mund të ndodhë ndësa po çmontojmë arsenalet e vjetra të armëve bërthamore.”

Por nuk janë vetëm mosmarrëveshjet rreth zbatimit të traktateve që vazhdojnë ta mbajnë emrin e Rusisë në krye të listës së vendeve që paraqesin rrezikshmëri. Analistët thonë se është edhe realiteti strategjik që po vonon vendosjen e arsenaleve të rrezikshme të Rusisë nën kontroll.

Shtetet e Bashkuara dher Rusia ende vazhdojnë të jenë në gjendje të lartë gadishmërie bërthamore me njera tjetërën, pasi të dyja janë të afta të fillojnë një sulm bërthamor brenda një kohe tepër të shkurtër.

XS
SM
MD
LG