Lidhje

Irani shtyp pakicat


Forcat iraniane të sigurimit u ndeshën kohët e fundit me protestuesit iraniano-arabë në provincën jugperëndimore të Kuzestanit. Sipas njoftimeve të medias, shkaku i protestës ishte një plan që thuhej se kishte hartuar qeveria iraniane për t’i dëbuar arabët etnikë nga kjo zonë e pasur me naftë. Zyrtarët iranianë mohojnë se ekziston një plan i tillë.

Organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International tha se më tepër se 130 vetë u arrestuan nga forcat iraniane të sigurimit dhe rrezikohen të torturohen. Amnesty International tha gjithashtu se ekzistojnë njoftime të pakonfirmuara sipas të cilave të paktën 29 vetë janë vrarë gjatë protestave dhe se deri në 500 të tjerë janë plagosur." Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Adam Ereli bëri këtë koment:

"Për mendimin tim, kjo protestë dhe këto arrestime kanë të bëjnë me mohimin e të drejtave të pakicave në Iran".


Arabo-Iranianët përbëjnë pakicë në kryeqytetin e Kuzestanit, Ahwaz, dhe zenë rreth tre përqind të popullsisë së përgjithshme të Iranit. Zoti Ereli tha se ky incident "nuk është hera e parë" që në Iran shkelen të drejtat e një grupi të pakicave etnike. Ai tha se shkelje të tilla janë diskutuar edhe në raportin e fundit mbi të drejtat e njeriut të publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.


Raporti i Departamentit të Shtetit përmend abuzimet ndaj kurdëve dhe azerëve iranianë si dhe ndaj arabëve të Ahwazit. Këto abuzime përfshijnë burgosjen dhe vrasjen e aktivistëve politikë të cilët mbrojnë të drejtat kulturore dhe gjuhësore të pakicave. Në rastin e arabëve të Ahwazit, qeveria iraniane ka refuzuar gjithashtu një kërkesë për të çminuar rajone të gjera të Kuzestanit të cilat ishin minuar gjatë luftës Iran-Irak në vitet 80.


"Shtypja e të drejtave të pakicave patjetër që duhet dënuar, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ereli. "Shtetet e Bashkuara", tha ai, "u bëjnë thirrje autoriteteve iraniane të tregojnë përmbajtje në trajtimin e kësaj pakice në Kuzestan dhe të respektojnë ushtrimin paqësor nga populli iranian të të drejtave të tij demokratike".

XS
SM
MD
LG