Lidhje

Gjykata e Hagës shtyn marrjen e vendimit për mbrojtjen në liri të ish kryeministrit Haradinaj


Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, dëgjoi sot argumentat e prokurorisë dhe të mbrojtjes, e cila ka kërkuar mbrojtjen në liri të ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, i akuzuar për krime lufte dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës. Gjykata e shtyu marrjen e vendimit të saj për këtë cështje në pritje të mocioneve të prokurorisë dhe mbrojtjes. Në seancën e sotme ishte i pranishëm edhe zëvëndëskryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Lari Rosin.

Gjykata e Hagës, nuk mori vendim sot për të lejuar ose jo mbrojtjen në liri të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili është akuzuar nga prokuroria e kësaj gjykate për krime lufte dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës. Gjykata dëgjoi sot argumentat e mbrojtjes së zotit Haradinaj, të cilët kanë kërkuar që ai të lejohet të mbrohet në liri, dhe argumentat e prokurorisë.

Në seancë ishte i pranishëm zëvëndëskryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës, Lari Rosin, i cili iu përgjigj disa prej argumentave të ngritura nga prokuroria, të cilat kishin të bënin kryesisht me efikasitetin e policisë së Kosovës dhe në përgjithësi të organeve të rendit, si dhe transferimin e kompetencave nga autoritetet ndërkombëtare tek ato vendore.

Gjykata vendosi që mbrojtja dhe prokuroria të paraqesin mocionet e tyre me shkrim lidhur me cështjet e ngritura nga prokuroria, e cila vuri në pikëpyetje mundësinë që zoti Haradinaj të rikthehet në gjykatë, nëse lejohet të mbrohet në liri, dhe nëse kjo kërkohet, dhe po kështu aftësinë e UNMIk-ut për të garantuar për këtë, sepse sipas prokurorisë, misioni i UNMIK-ut është në zbehje e sipër, dhe kompetencat po kalojnë nga autoritetet ndërkombëtare tek ato vendore.

Zëvendës -kryeadministratori Lari Rosin i tha gjykatës se në fushën e sigurisë në Kosovë janë bërë përparime dhe ritheksoi gatishmërinë e UNMIK-ut për ta zbatuar të gjitha vendimet e Gjykatës së Hagës. Ish-kryeministri Haradinaj, përsëriti qëndrimin e tij se do të zbatojë ligjin dhe rregullin, në cfarëdo rrethanë, dhe theksoi gadishmërinë e tij për të respektuar kërkesat dhe vendimet e gjykatës së Hagës. Ish-kryeministri Haradinaj, shpalli publikisht më 8 mars se ishte akuzuar nga gjykata e Hagës dhe dha dorëheqjen si kryeministër i vendit. Tre muajt e qeverisjes së tij, janë konsideruar gjerësisht si mjaft të suksesshme.

Në Kosovë, vazhdon një fushatë për mbrojtjen në liri të zotit Haradinaj, e cila përfshin edhe një peticion të nënshkruar nga qytetarët, që kërkojnë që ai të kthehet në Kosovë.

XS
SM
MD
LG