Lidhje

Raport i organizatës Amnesty International mbi shkelje të të drejtave të njeriut në botë


Në raportin vjetor të organizatës për të drejtat e njeriut Amnesty International, theksohet se diskriminimi ndaj pakicave është një ndër problemet e mprehta të vërejtura gjatë vitit të kaluar. Organizata vuri në dukje se në republikat që dolën nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, gjykatat ende ngurojnë të ndjekin penalisht autorët e akteve të dhunës etnike. Ndërkaq, organizata veçon shkeljet e të drejtave të grave dhe vajzave në formën e dhunës në familje apo të trafikut njerëzor, si dhe brutalitetin e forcave të rendit dhe mungesën e vëmendjes së organeve të drejtësisë në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve si disa nga problemet kryesore të veçuara në analizën e Organizatës për Shqipërinë dhe Kosovën.

SHQIPËRIA

Në kapitullin për Shqipërinë raporti thekson se keqtrajtimi i personave gjatë mbajtjes nën arrest, ose në paraburgim, dhe në raste më të rralla në burg vazhdoi edhe gjatë vitit të kaluar. Aktet e keqtrajtimit të personave të ndaluar, thekson Amnesty International, shoqëroheshin me shkeljen e procedurave ligjore, në veçanti pasi të ndaluarve u mohohej e drejta për të kontaktuar avokatin menjëherë pas arrestit.

Organizata e të drejtave të njeriut thekson pasivitetin e organeve të drejtësisë në hetimin e shumë prej ankesave. Edhe në ato raste kur ankesat u pasuan me fillimin e hetimeve, thuhet në raport, këto procese ishin të ngadalta dhe nuk jo të plota në zbulimin e problemeve. Prokurorët nguronin të zbatonin nenet e Kodit Penal lidhur me torturat dhe akte të tjera keqtrajtimesh, duke i cilësuar shumë nga këto vepra si akte arbitrare.

Trafiku i grave dhe fëmijëve për prostitucion apo punë të detyruar ka vazhduar megjithëse është rritur numri i arresteve dhe proceseve gjyqësore ndaj autorëve të këtyre akteve. Në mars të vitit të kaluar u miratua një ligj për mbrojtjen e dëshmitarëve, megjithëse mungesa e ligjeve mbështetëse dhe e fondeve pengon zbatimin e tij.

Edhe gjatë vitit të kaluar janë ndeshur rëndom raste të dhunës në familje. Ligji nuk mbron si duhet viktimat, pasi Kodi Penal nuk ka ligj specifik kundër akteve të dhunës në familje.

KOSOVA

Në komentet për Kosovën, Amnesty International thekson aktet e frikësimit dhe kërcënimeve të dëshmitarëve në proceset gjyqësore ndaj ish-luftëtarëve të UCK-së. Raporti vë gjithashtu në dukje mungesën e përparimit në përpjekjet e UNMIK-ut për të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës për vrasje dhe akte dhune me motive etnike që nga viti 1999.

Amnesty International thekson gjithashtu të metat në punën e KFOR-it dhe forcave të tjera të sigurimit për të mbrojtur pakicat gjatë dhunës së marsit të vitit të kaluar. Ka pasur zëra, vazhdon raporti, për përfshirje të Forcave të Shërbimit Policor të Kosovës në aktet e dhunës etnike, por deri tani UNMIK-u nuk ka dhënë hollësi për ndonjë proces mbi rolin e këtyre forcave në akte të tilla.

Trafiku i grave dhe vajzave për prostitucion mbetet një shqetësim serioz. Numri i të arrestuarve dhe trafikantëve mbetet i ulët dhe vitin a kaluar masat për mbrojtjen e dëshmitarëve nuk u vunë në zbatim.

MAQEDONIA

Në kapitullin për Maqedoninë, organizata Amnesty International thekson se edhe gjatë vitit të kaluar ka pasur ankesa për keqtrajtime nga forcat e sigurimit. Raporti veçon edhe raste të brutalitetit të policisë. Ndërkaq , vitin e kaluar në Maqedoni u arrestuan ish-zyrtarë të lartë, ndaj të cilëve u hapën procese gjyqësore lidhur me ekzekutimin pa gjyq të 7 imigrantëve në vitin 2002.

Më tej në raport thuhet se dhuna kundër grave ishte edhe gjatë vitit të kaluar një fenomen i përhapur në shoqërinë maqedonase. Proceset hetimore dhe gjyqësore ndaj trafikantëve të qënieve njerëzore vazhduan të jenë të ulëta. Sipas njoftimeve nga media vendase, të cituara në raport, dëshmitarët shpesh kanë frikë të dëshmojnë dhe ka pasur raste kur janë kërcënuar me vdekje nga trafikantët, gjë që vështirëson sjelljen para drejtësisë së këtyre personave.

XS
SM
MD
LG