Lidhje

Afaristi Anthony Athanas varroset me nderime ne Boston


Më 25 maj në Boston u zhvillua ceremonia e varrimit të afaristit të njohur shqiptaro amerikan Anthony Athanas, i cili vdiq javën e kaluar në moshën 93 vjeçare.

Ceremonia filloi në orën 11 sipas kohës së Amerikes. Qarkullimi i makinave në rrugën East Broadway përpara kishës Shën Gjergji u bllokua për rreth një orë, për shkak të njerëzve që ishin mbledhur për të percjellë trupin e birit të Bostonit dhe të Shqipërise, siç thone ata. Anthony Athanas u varros në varrezat familjare në Swampscot, rreth 45 minuta me makinë nga Bostoni.

Anthony Athanas ishte një figure pajtuese, afruese e bashkuese për shqiptaret, thonë ata që e kanë njohur. Ai kurrë nuk u perzie në çështje të brendëshme të politikës shqiptare.

Për herë të parë ai e vizitoi Shqipërinë ne vitin 1989 dhe pastaj me 1995 me kthimin e eshtrave të Faik Konicës. Në Boston, pa bërë asnjë dallim partiak, ai nderoi me ftesën e tij të gjithë politikanët dhe udhëheqësit kryesorë të pas diktatures në Shqipëri. Të njohurit e tij thonë se Anthoni Athanas kishte vetëm një ëndër e një qëllim; mbarëvajtjen e çështjeve kombëtare. Për emrin e tij të njohur dhe veprimtarinë e tij, shteti shqiptar e emëroi atë edhe si konsull nderi të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, një post simbolik, por me të cilin Anthoni Athanas krenohej shumë. Presidenti Moisiu dhe kryeministri Nano i dëguan familjes Athanas telegrame ngushëllimi, ndërsa të pranishëm në emër të shtetit shqiptar në ceremoninë e varrimit ndodhej i ngarkuari me punë pranë ambasadës shqiptare në Uashington, Mirosh Sako dhe zëvendës shefi i misionit të Shqiperise pranë OKB-së në Nju Jork, Lublin Dilja. Mes përfaqësuesve të komunitetit shqiptar ndodheshin kryetari i shoqatës Vatra, Agim Karagjozi dhe afaristi e veprimtari Ekrem Bardha, si dhe figura të tjera të komuniteit shqiptar në Amerikë.

Anthony Athanas ishte një figurë e njohur dhe e nderuar thuajse nga të gjithë, përfshi politikanë, afaristë apo njerëz të thjeshtë, shqiptarë e amerikane. Kjo u pa edhe nga numri i madh i njerëzve që erdhën në kishën e Shën Gjergjit në Boston për t’i shprehur ngushëllime familjes dhe për të nderuar kujtimin e tij. Në kishën shqiptare orthodokse të Shën Gjergjit, qindra vetë, të veçuar apo në grupe parakaluan përpara trupit pa jetë të Anthony Athanasit për të shprehur nderimin e tyre për këtë personalitet, i cilësuar nga zyrtarët vendore si mikpritësi i Bostonit, për arsye të biznesit të tij të suksesshëm në industrinë e restoranteve në Amerike.

"Restoranti i tij Anthony’s Pier 4, me zotin Athanas tek dera që priste dhe percillte klientët, ishte si një shtëpi plot gjallëri e gjithmone e hapur", thote William Bulger, ish kryetar i senatitit të shtetit Masachusets. "Anthoni Athanas", thote ai "ishte një mik me plot kuptimin e fjalës, për ditë të mira e të keqia. Ne kemi nevojë për miq dhe ai ishte për mua një mik shume i mirë. Do t’a ndjej shumë mungesën e tij", thotë senatori Bulger.

"Anthoni Athanas përfaqëson ëndrën amerikane", thotë ish ligjvënësi Joe Kenendi, mik i familjes Athanas. "Ai erdhi këtu si emigrant dhe me punën e tij krijoi një rrjet restorantesh me bazë Pier 4 pa të cilin sot Bostonit do t’i mungonte një monument historik. Ai merrej jashtëzakonisht edhe me çështjet shqiptare, Kur une isha në Kongres, ai vazhdimisht e me këmbëngulje më shtronte përpara nevojën që kishte Shqipëria për investime e për ndihma te tjera në rrugën e demokratizimit. Anthoni Athanas ishte një njeri i jashtëzakonshëm, me zemër flori", thotë Joe Kenedi.

"Anthoni Athanas ishte një përkrahës shpirtëror e material i komunitetit shqiptar të Bostonit e veçanerisht i kishës orthodokse shqiptare në Amerikë e themeluar nga Fan Noli", thotë bishop Nikoni. "Thuajse në të gjitha librat liturgjikë të përkthyera nga Noli, gjendet edhe shënimi, botuar me ndihmen financiare Anthony Athanasit. Atëhere kjo mund të dukej gjë e vogël, por sot kur shikojmë trashëgiminë kulturore që kalon nga brezi në brez, themi se ajo është trashëgimia që la pas Anthoni Athanas".

XS
SM
MD
LG