Lidhje

Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton mbi Kosovën

  • Ilir Ikonomi

Në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara diskutoi mbi raportin e Sekretarit të Përgjithshëm Kofi Annan, ku ai rekomandon fillimin e një rishikimi të përgjithshëm të zbatimit të standardeve për Kosovën. Në seancën e së premntes foli edhe administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Soren Jessen-Petersen, i cili i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të zgjidhë statusin e Kosovës dhe t’i japë fund paqartësisë në këtë çështje, sepse zgjidhja e statusit, tha ai, do të sjellë rezultate shumë më të mëdha në aspektet që ende përbëjnë shqetësim në Kosovë siç janë kthimi i të zhvendosurve, liria e lëvizjes dhe ekonomia.

Zoti Jessen-Petersen i bëri përgjithësisht një vlerësim optimist gjendjes në Kosovë duke thënë se gjatë tre muajve të fundit Kosova i tregoi rajonit dhe botës një respekt të lavdërueshëm për procesin juridik. Demokracia, tha ai, u respektua dhe qeveria e re u formua brenda tri javësh. Duke iu referuar dorëzimit në Gjykatën e Hagës të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në fillim të marsit, zoti Jessen-Petersen tha se gjatë kësaj periudhe të vështirë, udhëheqësit politikë dhe qytetarët e Kosovës arritën ta kontrollojnë situatën e pazakontë me maturi dhe pa instabilitet.

Duke komentuar për tensionet midis partive politike në Kosovë, çështje që ka ngjallur një farë shqetësimi ndërmejt shumë analistëve, Administratori i UNMIK-ut tha se në çdo demokraci të re ka tension politik. Ai shtoi se demokracia në Kosovë ka vetëm pak vite dhe për herë të parë në histori, Kosova ka një opozitë të fortë, e cila si kudo është kritike ndaj punës së qeverisë duke qenë njëkohësisht dakord lidhur me objektivat e përgjithshëm për Kosovën.

Shefi i UNMIK-ut e quajti zhvillim pozitiv hapin e hedhur në drejtim të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe tha se duhet vazhduar inkurajimi i dialogut politik duke përfshirë këtu dialogun e nivelit të lartë. Ndërsa foli me tone përgjithësisht pozitive për situatën, zoti Jessen-Petersen u shpreh mjaft kritik ndaj Beogradit duke thënë se nga Beogradi dhe serbët e Kosovës ende nuk ka një sinjal pozitiv që këta të fundit të marrin pjesë në institucionet e Kosovës. Përparimi në Kosovë do të vazhdojë, tha ai, edhe pa një pjesmarrje të serbëve, por hapat drejt krijimit të një Kosove shumetnike do të mbeten të kufizuara për sa kohë që njërit grup etnik i bëhet presion të qendrojë jashtë proceseve politike. Viktimat, tha zoti Jessen-Petersen, do të ishin vetë serbët e Kosovës.

Në seancë foli edhe përfaqësuesi i qeverisë serbe, Nebojsha Çoviç. Kryetari i Qendrës Koordinuese të Serbisë për Kosovën, foli me kritika të ashpra për raportin e shefit të UNMIK-ut dhe tha se ky raport ishte i njëanshëm, i zbukuruar dhe nuk pasqyron si duhet realitetin në Kosovë. Zoti Çoviç tha se aty duhet të ishte folur për mungesën e lirisë së lëvizjes për serbët në Kosovë, për çështjen e kishave të shkatërruara, për privatizimin e paligjshëm të pronave serbe dhe për faktin që të zhvendosurit nuk kthehen dot pasi nuk kanë mbrojtjen e duhur. Përfaqësuesi serb tha se raporti nuk duhet të ishte hartuar për të kënaqur vetëm njërën palë. Zoti Çoviç tha gjithashtu se shpreson që i dërguari i posaçëm që do të emërojë zoti Annan për vlerësimin e standardeve, të demonstrojë integritet dhe paanshmëri.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit, pritet të miratojnë raportin e nxjerrë zyrtarisht të enjten nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, ku ai rekomandon të fillojë këtë verë procesi i vlerësimit të standardeve të përcaktuara nga komuniteti ndërkombëtar për Kosovën. Vlerësimi pritet të zgjasë 6 deri në 8 javë. Në vjeshtë, Grupi i Kontaktit dhe Kombet e Bashkuara pritet të mblidhen për të diskutuar rezultatet e vlerësimit të standardeve dhe për të vendosur nëse do të fillojnë bisedimet për përcaktimin e statusit përfundimtar. //ii//

XS
SM
MD
LG