Lidhje

SHBA: Bie mbështetja për Presidentin Bush


Të hënën në Shtetet e Bashkuara është Dita e të Rënëve. Këtë ditë amerikanët e kalojnë me pjesëtarët e familjes dhe duke reflektuar. Kjo është sidomos e vërtetë për familjet e veteranëve. Kjo ditë përkujtimore sivjet vjen në një kohë kur në Irak vazhdon dhuna dhe diskutimet në lidhje me efektshmërinë e qeverisë së re irakiane.

Ndërkohë që numri i viktimave nga sulmet e kryengritësve në Irak u rrit javën e kaluar në më shumë se 600 që nga prilli, përkrahja e amerikanëve për mënyrën se si Presidenti Bush po e udhëheq luftën, po dobësohet. Sondazhet e fundit tregojnë rënie të vazhdueshme të mbështetjes për të, pjesërisht për shkak të gjendjes në Irak. Një sondazh i fundit i organizatës Gallup tregon se 56 për qind të amerikanëve të pyetur nuk miratojnë punën e Presientit Bush lidhur me Irakun dhe 50 për qind janë të pakënaqur me punën e tij në përgjithësi.

Megjithatë, ai është optimist lidhur me shtypjen e kryengritjes. "Jam i bindur se po bëjmë përparime të mëdha në Irak. Kuptohet që është e rrezikshme dhe ne pikëllohemi për humbjet njerëzore. Megjithatë, 8 milionë e gjysëm irakianë që votuan, i dërguan një mesazh të qartë botës se duan të jenë të lirë".

Problemi është se 140 mijë trupat amerikane që po përpiqen të garantojnë lirinë dhe sigurimin, mund të sjellin efektin e padëshëruar, thotë Phyllis Bennis e Institutit për Studime Politike në Washington. "Mendoj se deri sa trupat amerikane të largohen, nuk ekziston mundësia që Iraku dhe irakianët të mund të gjejnë gjuhën e përbashkët. Rezistenca duket se tani gëzon mbështetje tepër të fortë. Po të mos ishin trupat amerikane që shërbejnë si objektiv kryesor, kjo mbështetje do të binte së tepërmi".

Por tërheqja e trupave në këtë kohë do të dërgonte mesazh të gabuar, thotë Michael Rubin i Institutit Amerikan Enterprise. "Gjysma e kryengritësve shpresonin se nëse do të vrisnin mjaft amerikanë, Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin. Por është e rëndësishme që kryengritësit të binden se nuk do të largohemi".

Zoti Rubin thotë trupat amerikane duhet ta kryejnë misonin me gjithë rënien e përkrahjes së amerikanëve për Presidentin Bush. "Të udhëheqësh nuk do të thotë vetëm të ndjekësh sondazhet. Opinionet publike mund të jetë tepër të zjarrta e të përkohshme. Qoftë në Irak apo gjetkë në botën myslimane, e urrejnë apo e duan Amerikën dhe një nga gjërat më të rëndësishnme që duhet të bëjmë është t’i bindim se ne e mbajmë fjalën".

Ndër të tjera, Shtetet e Bashkuara janë angazhuar të vendosin një qeverisje të qendrueshme në Irak, por zonja Bennis thotë se qeveria e re irkiane është larg këtij objektivi. "Nuk ka ende shenja se, me këtë qeveri, aq të paqendrueshme, në një gjendje kaq të rrezikshme politike, e veçanërisht ushtarake, si dhe të sigurimit, puna për kushtetutën thjeshtë nuk gëzon vëmendjen e duhur, para se të kalohet në fazën tjetër, pra, në zgjedhjet e tjera dhe ratifikimin e kushtetutës".

Afati për hartimin e një kushtetute të re është 15 gushti dhe kreu i komisionit për kushtetutën, kleriku shiit, Humman Hammoudi, është zotuar ta respektojë. //az//

XS
SM
MD
LG