Lidhje

Presidenti Bush: Nderim për të rënët!

  • Serena Parker

Zoti Bush u kërkoi të gjithë amerikanëve që në Ditën e të Rënëve t’i kushtojnë një moment nderimit të atyre që kanë bërë sakrificën sublime për Shtetet e Bashkuara. "Qytetarët tanë jetojnë në liri, sepse patriotët janë gati të shërbejnë dhe të sakrifikohen për lirinë tonë", tha ai.

Të hënën Presidenti Bush do të vizitojë Varrezën Kombëtare të Arlingtonit për të nderuar ata që kanë bërë sakrificën sublime. Më shumë se 260 mijë vetë janë varrosur atje, përfshirë veteranë nga të gjithë luftrat ku ka marrë pjesë Amerika, që nga Revolucioni Amerikan i vitit 1776 e deri në konfliktet e tanishme në Irak e Afganistan.

Zoti Bush tha se është gjithashtu e rëndësishme për amerikanët që të kujtojnë trupat që po shërbejnë aktualisht në vendin e tyre. "Sot një brez i ri amerikanësh po bën sakrificën e vet për paqen dhe lirinë dhe disa kanë dhënë jetën".

Më shumë se 1 mijë e 600 ushtarë amerikanë kanë humbur jetën në Irak dhe afër 200 në Afganistan. Presidenti Bush tha se, ndërkohë që vendi mban zi për humbjen dhe nderon sakrificën që bënë, amerikanët duhet të kujtojnë se ata besonin thellësisht në kauzën e luftës së tyre.

Gjenerali në pension, Wesley Clark, i cili mbajti fjalimin e javës për llogari të Partisë Demokrate, tha se Dita e të Rënëve sjell kujtimin e atyre që shërbyen në Vietnam. "Për mua, tha gjenerali, Dita e të Rënëve përmban diçka mjaft personale. Këtë të hënë, unë do të kujtoj ushtarakët që shërbyen gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në Kore dhe që më kanë frymëzuar të hyj në shërbimin ushtarak më 1962. Por si shumë tjetrë në brezin tim, unë do të kujtoj gjithashtu Memorialin e Veteranëve të Vietnamit në Washington të cilin e kam vizituar shumë herë. Do të kujtoj ata që, me vetëmohim, dhanë jetën e tyre dhe paguan çmimin sublim që ne të jetojmë në liri".

Gjenerali Clark e shfrytëzoi gjithashtu fjalimin e tij për të këmbëngulur që trupat, që kthehen në atdhe, veçanërisht forca të njësive të Gardës Kombëtare apo Rezervës, të përfitojnë respektin dhe nderimin që meritojnë në formën e kujdesit të duhur shëndetësor. "Ne ngulim këmbë që rezervistët dhe pjesëtarët e Gardës Kombëtare të marrin siguracione shëndetësore përmes sistemit të ushtrisë për kujdes shëndetësor, ashtu si edhe forcat aktive. Po aq i rëndësishëm është edhe fakti se ne duhet t’ua mbajme premtimet tona veteranëve dhe t’u sigurojmë kujdesin shëndetësor që kanë nevojë. Kjo do të thotë se sistemi i Administratës së Veteranëve duhet financuar plotësisht".

Këtë vit, kongresi i dominuar nga republikanët hodhi poshtë një plan për të përfshirë nën kujdes të përhershëm shëndetësor forcat e Gardës Kombëtare dhe rezervistët, si dhe familjet e tyre. Ky projektligj do t’u siguronte të njëjtat përfitime si trupat aktive. Shumë republikanë thanë se projekt-lijgi i propozuar është tepër i kushtueshëm. //az//

XS
SM
MD
LG