Lidhje

Shqipëri: Zbulohet një rrjet trafiku emigrantësh klandestinë


Policia shqiptare njoftoi sot për zbulimin e një rrjeti trafiku të emigratëve klandestinë i cili mundësonte kalimin ilegal të shtetasve turq me kombësi kurde nga Turqia për në Kosovë e Slloveni me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.

Në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë, Nënë Tereza policia ka ndaluar 6 kurdë të cilët udhëtonin me linjën Stamboll-Rinas si dhe ka arrestuar tre organizatorë të këtij trafiku, një shqiptar nga Maqedonia, Ali Ademi dhe dy turq Yasin Ozl dhe Ayhan Dogan.

Në pranga ka përfunduar dhe një shtetas shqiptar Hysni Mali i cili dyshohet se ndihmonte në transportimin e klandestinëve nga Rinasi në Tiranë. Në kryeqytetin shqiptar ata strehoheshin përkohësisht në një apartament i cili është sekuestruar ndërsa pronari i tij është arrestuar.

Policia ka sekuestruar dhe një automjet Benz që përdorej nga Hysni Mali të cilit i janë gjetur edhe 1700 euro që do të përdoreshin për korruptimin e punonjësve të policisë kufitare në aeroport.

Policia shpjegoi se goditja e këtij rrjeti erdhi pas një periudhe hetimesh në bashkëpunim me prokurorinë e Krimeve të Rënda.

XS
SM
MD
LG