Lidhje

Analistët mbi referendumin francez për kushtetutën evropiane


Një grup ekspertësh dhe vëzhguesish shprehën këto ditë në Institutin Brookings në Washington mendimet e tyre rreth kësaj çështjeje.

Meqenëse rezultati i votimeve në Francë nuk mund të parashikohet me siguri, ekspertët evropianë dhe amerikanë kanë filluar të spekulojnë se çfarë do të ndodhte nëse rezultati do të ishte negativ.

Një përgjigje negative nga Franca do të ishte një hap prapa për Evropën, thotë Filip Gordon, Drejtor i Qendrës për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën në Institutin Brookings. Megjithatë, zoti Gordon thotë se një përgjigje negative nga Franca dhe Hollanda, nuk do të ishte fundi i projektit të integrimit evropian.

Ai thotë se vendet që aspirojnë për të hyrë në Bashkimin Evropian duhet të vazhdojnë reformat pavarësisht nga rezultatet e referendumit.

"Unë mendoj se gjëja më e drejtë për t’u bërë do të ishte që ato të mos e merrnin këtë si përgjigje negative dhe të thonin: “Ne jemi të vendosur të bëjmë reformat ekonomike dhe politike dhe të hyjmë në Bashkimin Evropian. Kjo gjithsesi do të merrte shumë kohë.”

Gerard Baker, Redaktor amerikan i gazetës Times të Londrës thotë se domethënia e këtij votimi po ekzagjerohet. Mos-miratimi i Kushtetutës, thotë ai, nuk do ta kthente Evropën e Bashkuar prapa në “hapin e saj të parë” politik.

Zoti Baker, i cili e quan veten skeptik për çështjen evropiane, thotë se politikanët evropianë e kanë gjetur gjithmonë mënyrën për ta bërë këtë kontinent të vjetër të ecë përpara.

"Së pari, Evropa ka një aftësi të dallueshme për të vazhduar të bëjë atë që do, pavarësisht nga dëshirat e shprehura nga votuesit. Nëse Franca dhe Hollanda nuk votojnë në favor të kushtetutës, kjo do të jetë hera e gjashtë apo e shtatë që votuesit në Evropë kanë kundërshtuar një marrëveshje të vendosur nga udhëheqësit e tyre. Traktati i Mastrihtit u hodh poshtë fillimisht nga një numër vendesh, ashtu siç ndodhi edhe me propozimin për krijimin e një valute të përbashkët. Megjithatë, të dy projektet u zbatuan me sukses."

Anne Applebaum, një komentatore e Washington Post e vë në pyetje rëndësinë e Kushtetutës së propozuar të Bashkimit Evropian.

"Arsyeja kryesore është se ajo nuk i trajton çështjet që kanë rëndësi për njerëzit. Në fund të fundit, ajo nuk i trajton çështjet e identitetit evropian; as rënien ekonomike të Evropës, dhe as çështjen emigracionit e cila ka lidhje gjithashtu me identitetin."

Zonja Applebaum thotë se një votë e mundshme kundër mund të jetë mirë për Bashkimin Evropian, meqenëse do të nxiste atë që ajo e quan “një tronditje e duhur për të shkaktuar një ndryshim mjaft të nevojshëm ekonomik në Bashkimin Evropian, dhe veçanërisht në France dhe Gjermani.”

Shumë shpejt ne do të mësojmë nëse këto parashikime pesimiste rreth mendimit të francezëve për kushtetutën e Bashkimit Evropian janë të vërteta.

XS
SM
MD
LG