Lidhje

Firma Steinway- simbol i cilësisë së lartë dhe i një tradite të pasur


Ka disa emra firmash që janë sinonim i cilësisë së shkëlqyer. Një prej tyre është pianoja Steinway, e njohur si instrumenti i preferuar i koncertistëve dhe orkestrave simfonike kudo në botë. Firma Steinway dhe të bijtë ka prodhuar piano në New York që prej 152 vjetësh dhe është kompania e fundit amerikane që ende i ndërton pianot në mënyrë artizanale. Një piano Steinway kushton shumë duke filluar nga 30 mijë dollarë për një piano të vogël me bisht, e deri në 100 mijë për një piano koncertesh.

Para se një piano Steinway të vendoset në një skenë koncerti, ajo krijohet këtu në fabrikën 125 vjeçare të kompanisë në lagjen Queens të Qytetit të New Yorkut. Me pak përjashtime, procesi i prodhimit të një pianoje Steinway nuk ka ndryshuar shumë gjatë shekullit të fundit. Një piano e tillë kërkon një vit për t’u ndërtuar dhe shumica e 12 mijë pjesëve që përbëjnë atë bëhen me dorë.

Nën presidenti ekzekutiv i Steinway-t Frank Mazurko thotë se kjo është arsyeja që aftësia artizanale është shumë e rëndësishme. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme. Bën dallimin mes nesh dhe prodhuesve të pianove të tjera,” thotë zoti Mazurko.

Steinway dhe Bijtë u themelua në vitin 1853 nga Henry Steinway, një emigrant gjerman. Por ishte i biri William që i dha drejtimin që mori kompanisë. Në vitin 1870, William Steinway krijoi atë që u kthye së shpejti në fabrikën më të madhe të pianove në botë dhe ndërtoi një fshat aty afër për punonjësit. “Kështu që dikush mund të fillonte të punonte për Steinwayn dhe William Steinway siguronte strehimin dhe paguante për të,” thotë nënpresidenti ekzekutiv i kompanisë. Ky fshat nuk ekziston më dhe familja Steinway e shiti kompaninë në vitin 1972. Megjithatë ka breza të punësuarish që janë krenarë për punën e tyre dhe e shohin si një aktivitet familjar.

Pjesa më e madhe e 400 punonjësve të kompanisë kanë prejardhje emigrante. Mes tyre fliten të paktën 25 gjuhë. Mos e gjykoni Steinwayn nga kjo zhurmë. Çdo zë unik i pianos perfeksionohet këtu, ku specialistë si Yuriy Kosachevich nga Ukraina dhe Victor Tilak nga Guyana rregullojnë tonalitetin. “Unë kontrolloj çdo çelës, çdo çekiç që të jetë në rregull dhe të mis ketë probleme,” thotë Kosachevich. “Unë jam i fundit që e provoj pianon para se të dalë nga fabrika. Unë i bie dhe sigurohem që çdo gjë është në rregull”.

Walter Boot ndoshta ka punën më të mirë. Është përgjegjësia e tij që të sigurohet se tastet e pianos kanë të njëjtin tonalitet. Sipas tij që të bëhet një gjë e tillë duhet të kesh një vështrim të mprehtë, vesh muzikor dhe t’i kuptosh tastet me të prekur. “Shumë ka të bëjë me sesi të duket pianoja kur i bie”. Walter Boot mund të mos jetë aq i zoti në tastierë, sa pianistja Shura Cherkassy, por kur ai vë vulën e miratimit tek një piano Steinway, kjo mjafton për kompaninë.

XS
SM
MD
LG