Lidhje

Presidenti Moisiu i kërkon KQZ-së të ruajë pavarësinë


Anëtarët e komisionit qendror të zgjedhjeve kanë raportuar sot mbi ecurinë e procesit përgatitor për zgjedhjet gjatë një takimi që kanë patur me presidentin Alfred Moisiu. Ata kanë informuar për problemet e hasura me ngritjen e komisioneve zonale, një pjesë e të cilave vazhdojnë të funksionojnë për numrin e plotë të anëtarëëve.

Kreu i shtetit Moisiu ka theksuar se ngritja e Komisioneve Zonale (KZZ) nuk duhet vonuar më pasi komisionerët kanë nevojë për trainim të plotë në të gjitha zonat zgjedhore. Po ashtu në takim është diskutuar edhe për financimet. Komisioni qëndror i zgjedhjeve pritet të përfundojë ditët e ardhshme një formular që do të jetë i detyrueshëm për çdo kandidat, i cili duhet të tregojë burimin e të ardhurave të përdorura gjatë fushatës.

Një masë e cila megjithatë nuk mund të konsiderohet parandaluese përsa kohë detyrimi i dorëzimit të këtij formulari shkon deri 45 ditë pas mbarimit të votimeve. Presidenti megjithatë ka kërkuar të mos lejohet shkelja e ligjit nga kandidatët. Po kështu dhe KQZ-ja, ka vazhduar ai, duhet të tregohet e ashpër edhe me organet e qeverisjes vendore që shkelin ligjin apo kapërcejnë afatet ligjore në përmbushjen e detyrimeve.

Presidenti Mosiu ka kërkuar që ankesat që vijnë nga kandidatët apo subjektet politike të trajtohen me kujdes dhe transparencë. Komisioni qendror i zgjedhjeve është lakuar së tepërmi gjatë zgjedhjeve të shkuara duke u akuzuar nga opozita. Me ndryshimet e bëra pas marrëveshjes së socialistëve dhe demokratëve, të dyja palët flasin për ballancim të tij.

Presidenti Alfred Moisiu ka kërkuar sot që ky institucion i pavaruar nga politika dhe përgjegjës për zgjedhjet të veprojë tërësisht si i tillë dhe të mos lejojë të bëhet direkt apo indirekt pjesë e politikës dhe e fushatës gjë e cila sipas presidentit mund të sjellë efekte politike në zgjedhje.

Në takimin e sotëm është vënë theksi edhe në moslejimin e sondazheve gjatë ditës së zgjedhjeve. Së pari sepse ligji e ndalon një gjë të tillë dhe së dyti të gjitha palët kanë vlerësuar se sondazhe të tilla mund të ishin me pasoja duke nxitur një klimë tensioni politik.

Në të vërtetë edhe rezultatet e të vetmit sodazh të publikuara deri më tani, kryer nga Instituti Demokratik Amerikan dëshmoi qartë nervozizmin me të cilin u prit nga partitë që nuk rezultonin fituese. Ai sondazh që nxirrte të parët demokratët e kryesuar nga Sali Berisha u kundërshtua me forcë nga socialistët por edhe parti të tjera më të vogla.

Nën klimën e sondazheve media dhe politika e këtushme po jetojnë që prej disa ditësh, në pritje edhe të rezultateve të anketimit të kryer nga Gallup. Por zyrtarsisht ky anketim i përfunduar tashmë pritet të shpallet pas dy ditësh. Sondazhi i Gallup do të pasohet edhe nga një tjetër i ngjashëm, në muajin qershor pak ditë përpara votimit.

XS
SM
MD
LG