Lidhje

Analisti Karpenter mbi procesin për statusin përfundimtar të Kosovës


Nënsekretari amerikan i Shtetit Nikolas Bërns theksoi javën e kaluar se në Kosovë është realizuar një përparim i tillë që e mundëson fillimin e negociatave për statusin përfundimtar. Zoti Burns i bëri komentet në një konferencë të organizuar në Bruksel nga shoqata Freedom House dhe Fondi Amerikan Marshall, ku shprehu besimin se negociatat do të fillojnë në vjeshtë të këtij viti. Nënsekretari i Shtetit Burns foli për një ofensivë diplomatike amerikane, e cila ka tre synime në Ballkan: të nxisë procesin për statusin përfundimtar të Kosovës, të nxisë një bashkim përfundimtar të Bosnje-Hercegovinës, si dhe të shtojë bashkëpunimin e Serbisë dhe Malit të Zi me gjykatën e Hagës për krime lufte. Këto çështje, Bosnja, Kosova dhe Serbia, tha zoti Burns, janë thelbi i procesit të demokratizimit në Evropë. Ne kishim të ftuar në studion tonë analistin Ted Carpenter, Zëvendës-Drejtor i Institutit Cato për Studimet mbi Politikat e Jashtme dhe ato të Mbrojtjes në Uashington për të diskutuar mbi zhvillimet e ardhshme lidhur me statusin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Karpenter, sa të vështira pritet të jenë këto negociata?

Ted Karpenter: Nuk mendoj se do të ketë një proces të mirëfilltë negociatash. Vendimet me peshë janë marrë tashmë, mendoj unë, në Uashington, Paris, Berlin dhe Londër dhe këta janë lojtarët e rëndësishëm në këtë proces. Ata kanë vendosur me sa duket që zgjidhja të jetë pavarësia e Kosovës, ata nuk kanë bërë ndonjë deklaratë publike, por të gjitha shenjat tregojnë se po ecet në këtë drejtim dhe mendoj se ata do të përcaktojnë një afat kohor për pavarësi të plotë.

Zëri i Amerikës: Administrata e presidentit Bush paraqiti disa ditë më parë një strategji të re ndaj çështjes së Kosovës. Cfarë hapash mendoni se do të marrë në muajt e ardhshëm administrata për zgjidhjen e çështjes së Kosovës?

Ted Karpenter: Administrata e presidentit Bush synon të lejojë vendet e Bashkimit Evropian të marrin udhëheqjen në këtë proces. Ata kanë mbajtur këtë qëndrim që pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Shtetet e Bashkuara kanë pasur përparësi të tjera dhe çështjet e Ballkanit nuk kanë qenë aq të një dore të dytë, por të dorës së tretë thuajse. Bashkimi Evropian dëshiron të marrë udhëheqjen dhe Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të mbështesin çdo lloj zgjidhjeje që propozojnë evropianët. Mendoj se është e qartë se ata kanë zgjedhur pavarësinë. Pyetja që ngrihet tani janë etapat kohore nga do të kalojë procesi. Mendoj se këto etapa mund të jenë temë negociatash, si dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore të pakicave. Por rezultati përfundimtar nuk është më në pikëpyetje.

Zëri i Amerikës: Megjithë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, që sic thoni edhe ju ka shenja të qarta se janë pro pavarësisë së Kosovës, Beogradi vazhdon të insisitojë në një formulë zgjidhjeje 'më pak se pavarësi, më shumë se autonomi'. Ndërkaq, shqiptarët e Kosovës këmbëngulin për pavarësi të plotë. A mund të gjendet një kompromis ndërmjet këtyre dy qëndrimeve?

Ted Karpenter: Nuk mendoj se është e mundur të gjendet një kompromis ndërmjet autonomisë, sado e zgjeruar qoftë ajo dhe pavarësisë. Një vend mund të jetë ose i pavarur ose jo i pavarur. Një pavarësi e pjesshme është njësoj si të thuash se dikush është pak shtatzënë. Nuk është një strategji e realizueshme. Beogradi duhet të pranojë një rezultat shumë të hidhur për të. Në Serbi ka edhe elementë demokratë që ndjehen shumë të zhgënjyer nga procesi që është ndjekur dhe këto ndjenja ka të ngjarë të vazhdojnë për një kohë të gjatë. Pavarësisht nga fjalët që thuhen, shqiptarët e Kosovës nuk mendoj se do të pranojnë asgjë më pak se pavarësia. Nuk mund ta imagjinoj dot një Kosovë që të jetë Taivani i Ballkanit, e cila të gëzojë pavarësi në çdo aspekt përveç emrit dhe të mos gëzojë njohje ndërkombëtare si shtet i veçantë. Komuniteti ndërkombëtar nuk do ta mbështesë një status të tillë që ushqen probleme të tjera.

Zëri i Amerikës: Qarqe të ndryshme politike në Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se zgjidhja përfundimtare e cështjes së Kosovës dhe e të gjitha problemeve në Ballkan do të vijë me integrimin e këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Por ky proces mund të zgjasë për vite e ndoshta edhe dekada. Cfarë tiparesh do të ketë administrimi i Kosovës gjatë kësaj periudhe që i paraprin pavarësisë dhe integrimit në BE?

Ted Karpenter: Mendoj se është e qartë që si nga Uashingtoni, ashtu edhe nga fuqitë kryesore të Bashkimit Evropian, çështja e pavarësisë nuk shihet si një problem shumë parësor, pasi të gjitha njësitë administrative në Ballkan do të inkuadrohen në Bashkimin Evropian. Kjo strategji dukej pak a shumë me vend para se Franca të hidhte poshtë kushtetutën e Bashkimit Evropian. Pas kësaj vote, zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Evropian është vënë seriozisht në pikëpyetje. Nëse Kosovës i njihet pavarësia, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian do të kërkojë ndoshta 15-20 vjet nëse flasim me optimizëm, prandaj përcaktimi i statusit të pavarësisë bëhet në këto kushte edhe më i rëndësishëm se më parë.

Zëri i Amerikës: Një pyetje që lidhet me referendumet e fundit mbi kushtetutën e Bashkimit Evropian. Në qoftë se vende si Franca nuk pranojnë të dorëzojnë një autoritet gjithnjë e më të madh në duart e Brukselit, si mendoni se do të ndikojë nacionalizmi në Ballkan në integrimin e këtij rajoni në bllokun evropian?

Ted Karpenter: Pas votës së Francës ndaj kushtetutës evropiane, kjo është një pyetje shumë e rëndësishme. Nacionalizmi duket se është shndërruar në një forcë edhe më të madhe në Evropë në shekullin e 21-të se sa ç’e kishin parashikuar arkitektët e bllokut evropian. Mendoj se nëse vendet evropiane, të cilët janë përfshirë në këtë proces integrimi për afro gjysmë shekulli mbajnë një qëndrim të tillë, ky sens nacionalizmi ka të ngjarë të jetë edhe më i fortë në vendet e Ballkanit.

XS
SM
MD
LG