Lidhje

Monitorimi i medias shqiptare nxjerr mbizotërimin e dy partive më të mëdha


Koalicioni Shqiptar kundër Korrupsionit (ACAC), Qendra për Transparencë dhe informacion të Lirë (CTFI), Instituti I Sondazheve dhe Opinioneve (ISO) publikuan sot një studim mbi monitorimin e mediave, të mbështetur nga Agjencia e SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Instituti Demokratik Amerikan (NDI).

Nga monitorimi në gjysmën e dytë të muajit maj në 10 televizione, 4 radio dhe 6 gazeta kryesore, vërehet se tipari më i rëndësishëm i medias shqiptare është ndasia e saj midis dy forcave më të mëdha politike, PS e PD dhe drejtuesve të tyre. “Një grup i medias private - thuhet në raport - i mbështeti PS dhe qeverinë e saj, duke pasqyruar gjerësisht veprimtaritë e tyre, ndërsa një grup tjetër mbështeti PD në një shkallë më të ulët”.

Në raport thuhet se Radio dhe Televizioni Publik mbështetën fuqimisht PS dhe qeverinë, duke mos përmbushur rolin e tyre si media të balancuara që mbahen me financat e gjithë taksapaguesve. Drejtuesi i ACAC, Pjerin Marku, tha se “RTSH pati një deformim të dukshëm të programeve politike, jo vetëm për kohën shumë herë më të madhe që i dha PS dhe qeverisë, por edhe për konteksin negativ që futi në minutazhin e pakët për PD e opozitës”.

Nga ana tjetër, shumica e gazetave nuk raportuan për qeverinë, por pasqyruan veprimtaritë politike të partive në fushatë. Sami Neza, një nga monitoruesit e CTFI, tha se “shtypi i shkruar ishte më profesional, megjithë preferencat e zakonshme politike që janë shfaqur, madje një pjesë jo e vogël e gazetave del se përkrahin opozitën”. Nga monitorimi i mediave doli gjithashtu se kandidatet femra për deputete dhe partitë e vogla nuk kanë mbështetje dhe hapësira të mjaftueshme nëpër televizione. Balancimi i minutazhit televiziv në media është i detyrueshëm me ligj në Shqipëri.

KQZ sapo ka ngritur edhe një bord monitorimi. Por të gjitha këto struktura fillojnë punë nesër kur quhet formalisht e hapur fushata zgjedhore, ndonëse partitë politike de facto kanë afro dy muaj që po zhvillojnë veprimtari tipike të fushatës, dhe televizionet janë mbushur plot me takime e tubime të tyre me publikun, ku prezantohen kandidatët.

XS
SM
MD
LG