Lidhje

Dole: Ky mund të jetë viti që e çon Kosovën drejt pavarësisë


Ish-senatori amerikan, Robert Dole tha sot në Prishtinë se ky vit do të jetë shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe do ta çojë atë drejt pavarësisë. Ai i bëri këto komente në fillim të një vizite në Kosovë me ftesë të presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili zotin Dole e ka emëruar ambasador nderi në Shtetet e Bashkuara me një vendim që nuk është pranuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara. Zoti Dole shprehu bindjen e tij se tash është kohë e përcaktimit të qartë të statusit politik të Kosovës.

“Ky do të jetë një vit i posaçëm për Kosovën. Ky mund të jetë viti që do ta drejtoj atë nga pavarësia çka do të ishte madhështore që më në fund të ndodhë”, tha ish senatori Dole.

Ai u zotua se me t’u kthyer në Washington do të kërkoj nga presidenti George Bush dhe sekretarja e shtetit Condoleezza Reis që të përshpejtojnë hapat e tyre për ta bërë realitet pavarësinë e Kosovës. Zoti Dole tha se më nuk mund të vihet në mëdyshje pavarësia, por çështja është se kur do të ndodhë ajo.

Sa më parë aq më mirë tha zoti Dole, duke i bërë thirrje Misionit të Kombeve të Bashkuara që të kalojë sa më shumë përgjegjësi tek autoritetet vendase. Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova i cili doli ne aeroportin e Prishtinës për ta pritur ish-senatorin tha se vizita e sotme shënon edhe 15 vjetorin e vizitës së parë të zotit Dole në Kosovë.

Ai tha se zotin Dole e ka njohur me përparimet e arritura në Kosovë, si dhe me proceset aktuale siç janë standardet dhe integrimi i pakicave etnike. Ai bëri thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës ndërsa çmoi lart qasjen e administratës amerikane ndaj Kosovës.

“Dashtë zoti që sa më shpejt që ta pres në Kosovë edhe në Aeroportin e Prishtinës me njohjen formale të pavarësisë së Kosovës”, tha presidenti Rugova.

Ai i shprehu mirënjohje ish-senatorit Bob Dole për ndihmën që ka dhënë për Kosovën. Ish-senatori Dole mbetet një nga personalitetet më të njohura në Kosovë për shkak të angazhimit të tij, për çka për një periudhë atij i qe ndaluar hyrja në Kosovë nga ish-presidenti Jugosllav tashmë i akuzuar për krime lufte Sllobodan Milosheviç.

XS
SM
MD
LG