Lidhje

Trafiku njerëzor: Shqipëria mbetet në grupin e dytë


Departamenti amerikan i Shtetit publikoi sot raportin mbi trafikimin e personave në vende të ndryshme të botës gjatë vitit të kaluar. Raporti, i cili u paraqit sot nga Sekretarja e Shtetit Condoleeza Rice përfshin 150 vende të botës dhe është dokumenti më i plotë ndërkombëtar që analizon përpjekjet e qeverive për të luftuar format më të rënda të trafikimit të njerzve, ose siç quhet ndryshe skllavëria e ditëve moderne.

Dokumentit të këtij viti, raporti i pestë vjetor i departamentit amerikan të shtetit, i është shtuar një aspekt i rëndësishëm, që është trafikimi i njerzve për punë të detyruar. Raporti, i kategorizon vendet e përfshira në 3 grupe dhe e mban edhe këtë vit Shqipërinë në grupin e dytë. Jo vetëm që Shqipëria bën përsëri pjesë në grupin e dytë, por pjesa e raportit për sa i përket trafikimit të njerzve dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare për ta luftuar atë nuk ndryshon nga raporti i një viti më parë.

Shqipëria, thuhet në raport, është burim trafikimi i grave dhe fëmijëve për shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar, kryesisht në Greqi e në Itali, ku shumë viktima transferohen në Britani, Francë dhe Holandë.

Pozitive për Shqipërinë këtë vit është se ekspertët rajonalë dhe botërore e konsiderojnë atë si një vend që ka marrë masa të shumta që të mos bëhet pikë kalimi për trafikimin e njerzve në Evropën Perëndimore.

Qeveria e Shqipërisë, thuhet më tej në raport, nuk i përmbush plotësisht standartet minimale për zhdukjen e trafikimit të njerzve, por po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim.

Në vitin 2004, qeveria shqiptare vazhdoi arrestimet, gjykimet dhe dënimet e trafikantëve. Gjykatat ndoqën penalisht 132 trafikantë dhe 121 prej tyre morën dënime.

Në raport përshëndetet fakti që më shumë se gjysma e dënimeve ishin mbi 5 vjet burgim dhe 30 trafikantë u dënuan me më shumë se 10 vjet burg. Gjatë vitit 2004, qeveria siguroi disa qendra dhe personel për të ndihmuar viktimat e trafikimit.

Ajo ndërmori disa programe parandalimi, por vazhdoi të mbështetej kryesisht tek organizatat jo-qeveritare dhe ato ndërkombëtare për veprimtari të tilla.

Përvec një pasqyre të përgjithshme të gjendjes së trafikimit të njerzve në vende të ndryshme, përpjekjeve të qeverive dhe statistikave, në raport përmenden raste të veçanta të femrave që shndërohen me forcë në prostituta.

Në hyrje të raportit përmendet rasti i një shqiptareje me emrin Viola. Kur ishte 13 vjeç ajo u njoh me Dilin 21 vjeçar, me të cilin u martua dhe shkoi në Itali. Me të mbritur atje, ajo u detyrua, duke u rrahur pa mëshirë dhe duke u kërcënuar që të bëhej prostitutë.

Lidhur me Kosovën, në raport thuhet se UNMIK-u është në dijeni të problemit të trafikimit të njerzve në Kosovë dhe vazhdoi përpjekjet kundër këtij fenomeni në bashkëpunimin me OSBE-në, Institucionet e Përkohshme vetë-qeverisëse dhe organizatat jo-qeveritare lokale dhe ndërkombëtare, të cilat ndajnë përgjegjësinë për mbështetjen sociale të viktimave të trafikimit.

Kosova, thuhet në raport, është pikë burimi, tranziti dhe destinacioni kryesisht për gratë dhe fëmijët, që trafikohen për shfrytëzim seksual dhe më pak për punë të detyruar brënda vendit. Numri i viktimave të trafikimit të njerzve vazhdoi të binte dhe mendohet se shkak ishte shtimi i rrjeteve kriminale të sofistikuara, që iu përgjigjën përpjekjeve të forcave të rendit.

Thuhet gjithashtu se ka pasur edhe një ndryshim në tregëtinë e seksit, nga klubet publike në shtëpitë private. Në raportin e departamentit të shtetit thuhet gjithashtu se fushatat për njohjen e publikut me përpjekjet kundër trafikimit të njerzve gjatë vitit 2004 në Kosovë u kryen kryesisht nga organizatat jo-qeveritare.

XS
SM
MD
LG