Lidhje

Kosovë: Fushatë e OKB-së kundër shfrytëzimit seksual


Nënsekretarja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Luiz Freshet, pohoi në Prishtinë se Kombet e Bashkuara janë në një fushatë për të rishikuar të gjitha masat e marra në të gjitha misionet e veta për t'u siguruar se po bëjnë gjithçka të mundur për të parandaluar shfrytëzimin seksual. Zonja Freshet, e cila filloi sot një vizitë tre-ditore në Kosovë, do të takohet edhe me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, para se të vazhdojë vizitën e saj në misionet e tjera paqeruajtëse të OKB-së.

Nënsekretarja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Luiz Freshet, e cila filloi të dielën pasdite një vizitë tri-ditëshe në Kosovë për të përforcuar politikën zero-tolerancë të OKB-së mbi shfrytëzimin dhe abuzimin seksual nga personeli i Kombeve të Bashkuara, tha në aeroportin e Prishtinës se ishte e kënaqur që do të kishte mundësinë të rishikonte gjendjen në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë në këtë fazë shumë të rëndësishme. Ajo pohoi gjithashtu se do të përqëndrohej edhe në masat e marra nga UNMIK-u për të parandaluar dhe për t'u siguruar që nuk ka shfrytëzim seksual nga stafi i OKB-së në Kosovë.

Zonja Freshet, e cila do të takohet edhe me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, tha se misioni në Kosovë është shumë i rëndësishëm për Kombet e Bashkuara. Ajo pohoi se Kombet e Bashkuara janë në një fushatë për të rishikuar të gjitha masat e marra në të gjitha misionet e veta për t'u siguruar se po bëjnë gjithcka të mundur për të parandaluar shfrytëzimin seksual.

Gjatë vizitës në Kosovë, zonja Freshet do të rishikojë nivelin e zbatimit të masave parandaluese për abuzime seksuale në UNMIK. Një nga masat parandaluese për abuzime seksuale të stafit ndërkombëtar në Kosovë është një listë me lokale të ndaluara, rreth 200, të cilat nuk duhet të frekuentohen nga ndërkombëtarët. Në këto vende dyshohet se bëhet prostitucion apo përdoren femra të trafikuara për shfrytëzim seksual. Kjo listë ripërtërihet pothuaj çdo muaj dhe në të gjenden lokale në pjesë të ndryshme të Kosovës, përfshi Prishtinën.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë konfirmoi para pak kohe, ngritjen e një akt-padie kundër një zyrtari të UNHCR-së, dhe të të reje shqiptare, të akuzuar për shfrytëzime seksuale, në të cilat janë përfshirë minorene. Prokurori publik ndërkombëtar ka ngritur një akt-padi në gjykatën e Prishtinës kundër zyrtarit të UNHCR-së Rashidoon Khan, dhe një të reje shqiptare, emri i së cilës nuk është bërë i ditur, për shfrytëzime seksuale që dyshohet se janë kryer në periudhën midis shtatorit dhe dhjetorit 2004. Ky rast, ka qenë më i rëndi në Kosovë në të cilin përfshihet edhe një zyrtar i një organizate ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG